E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vulat doganore, shtetet e Quint-it mbështesin kontrollin në Veri të Kosovës

15-09-2011 / Gazeta 55

BE: Të rivendoset ligji në të gjithë vendin. Bosnje-Hercegovina “njeh” vulat doganore të Kosovës


Pak orë para nisjes së implementimit të planit të qeverisë së Kosovës për Veriun, aleatët e mëdhenj të Kosovës, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia kanë takuar kryeministrin Thaçi për t’i dhënë përkrahjen për 16 shtatorin. Ambasadorët përsëritën mbështetjen e qeverive të tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Ambasadorët kanë shprehur mirënjohjen e tyre për mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me partnerët e saj ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in dhe EULEX-in, gjatë përgatitjeve për zbatimin e procedurave të reja doganore që fillojnë më 16 shtator. Ambasadorët po ashtu kanë inkurajuar qeverinë që të vazhdojë këtë bashkëpunim për të konsoliduar autoritetin e Kosovës në porta gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare. “Po ashtu, ata kanë mirëpritur dhe mbështetur deklaratat e dhëna dje nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Fernando Gentilini dhe Shefi i misionit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe shprehën mbështetjen e tyre për pritjet se tash mund të hiqen embargot për tregti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke hapur shtegun për përparim të mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në një njoftim të qeverisë së Kosovës.


Bosnje-Hercegovina “njeh” vulat doganore të Kosovës


Këshilli i Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës ka dhënë miratimin për të pranuar vulat doganore të Kosovës. Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe e Marrëdhënieve Ekonomike është e detyruar që përfundimin e Këshillit t`ia paraqesë presidencës për shqyrtim dhe miratim përfundimtar. Në përgjigje të vendimeve të mëparshme të Bosnjës për të mos njohur vulat e Doganës së Kosovës, ekzekutivi kosovar ka vendosur taksë doganore prej 10% për të gjitha produktet boshnjake, çfarë thuhet të ketë shkaktuar humbje enorme për ekonominë e Bosnjës.


BE, Kukan: Të rivendoset ligji në të gjithë vendin


Anëtari i Parlamentit Evropian, njëherësh kryetar i Delegacionit për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, përsa i përket zbatimit të marrëveshjes për doganat në veri të Kosovës, i ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës. Përmes një deklarate për shtyp, Kukan u ka bërë thirrje politikanëve përgjegjës të të dy palëve, si serbëve dhe kosovarë, që jetojnë në veri të Kosovës që të përmbahen nga çdo veprim emocional dhe të dhunshëm. “Duhet të jetë në interes të të gjithëve, rivendosja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Ne të gjithë vlerësojmë mënyrën e përgjegjshme, në të cilën dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit kishte ri-filluar në fillim të muajit dhe do të më vinte shumë keq nëse arritjet do të shkonin dëm”, thuhet në deklaratën për shtyp të Kukan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›