E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e sëmurë me apandesit, udhëton 3 orë në këmbë

02/03/2010 U shemb rruga, pamundësi për transportin në spital

BERAT- Shembja e rrugës në fshatin Kapinovë të rrethit të Beratit, e cila ka izoluar një mijë banorë ka bërë që një vajzë nëntëvjeçare të mbërrijë në spital pas tre orësh udhëtimi në këmbë, ndërkohë që mjekët dyshojnë se bëhet fjalë për një rast apandesiti, që mund t’i kushtonte edhe jetën fëmijës në rast neglizhence të mëtejshme. Banorja e fshatit Kapinovë, 9-vjeçarja Xhoana Hoxha mbërriti paraditen e djeshme pranë spitalit të Beratit pas tre orësh udhëtimi në këmbë nga fshati i saj deri në rrugën automobilistike Berat – Vërtop, me kriza nga apandesiti. Ajo ndodhet aktualisht në spitalin e Beratit ku ka kryer vizitën dhe është në pritje të analizave për t’ju nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas mjekëve, vajza është paraqitur me shenjat e apandesitit, por simptomat e para i janë shfaqur disa ditë më parë. Sipas tyre, gjendja e vajzës është normalizuar pas marrjes së qetësuesve, ndërkohë që çdo rast neglizhence, mund të sillte pasoja për jetën. Familjarët e saj dhanë alarmin se ndihen rrezikun që ju kanos jetës së vogëlushes, e cila kish nisur të ankohej prej ditësh, ndërsa pasi ju deshën plotë tre orë rrugë në këmbë nga fshati Kapinovë deri në rrugën automobilistike për ta transportuar vajzën e tyre në spital, me temperaturë të lartë. I ati i vogëlushes Bilbil Hoxha, ka treguar në spital se prej disa ditësh vajza e tyre kish shfaqur ankesa për dhimbje barku, shoqëruar gjatë ditës së djeshme dhe me temperaturë të lartë. Në pamundësi për ta vizituar vajzën, pasi prej ditësh në fshatin Kapinovë të komunës Vërtop nuk shkon mjeku si pasojë e shkatërrimit të rrugës, familjarët janë kujdesur në kushtet e shtëpisë duke i ofruar qetësues dhe lëngje. Por, sipas 40-vjeçarit Hoxha, mëngjesin e djeshëm ajo është ndier më keq se ditët e tjera. Dhembjet mësohet se i janë shtuar së tepërmi, po ashtu dhe temperatura, çka ka vënë në alarm të atin. Ky i fundit menjëherë ka marrë në krah vajzën dhe pa pritur më gjatë është nisur drejt qytetit të Beratit. Duke përshkuar tre orë rrugë në këmbë së bashku me vajzën e tij në krah Hoxha mbërriti fillimisht në rrugën automobilistike Berat- Vërtop dhe më pas me një mjet të rastit transportoi vajzën në spital. Fshati Kapinovë është izoluar prej ditësh, pasi rruga e vetme që lidh fshatin me komunën, fshatrat e tjerë dhe Beratit është shkatërruar në të gjithë gjatësinë e saj. Ajo është bërë e pakalueshme për të gjitha llojet e mjeteve, por më e vështirë paraqitet në hyrje të fshatit Kapinovë ku rreth 200 metra linearë gjatësi rruge është shkatërruar krejtësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›