Si u paralajmërua rezultati negativ i lirisë ekonomike që në muajin mars
Klasifikimin negativ të Shqipërisë në renditjen për lirinë ekonomike Banka Botërore e paralajmëroi që në muajin mars të këtij viti. Në projektin e saj, “Të bërit biznes”, Banka Botërore nënvizonte se liria ekonomike në Shqipëri nuk do të kishte përmirësime gjatë vitit 2008. Indikatorët në rastin konkret parashikonin stanjacion, duke lënë të nënkuptohej se situata në ambientin ekonomik në lidhje me biznesin do të ishte e njëjtë me vitin 2007. Në renditjen për këtë vit Shqipëria renditej e 136-ta në listën me 178 vende të botës përsa i përket mënyrës dhe rrugëve të lira për të bërë biznes. Në renditje Shqipëria zinte vendin e fundit përsa i përket mbylljes së një biznesi dhe vështirësitë e një falimentimi. Të mbyllësh një biznes në Shqipëri mbytesh me borxhe, duke bërë që shumë biznese thjesht nuk e shpallin falimentin për këtë çështje, por, nga ana tjetër, “mbysin” ekonominë. Një situatë e tillë është pranuar edhe nga autoritetet shqiptare, të cilat janë shprehur se gjysma e bizneseve shqiptare janë të mbytura në borxhe. Të bësh biznes në vendin tonë është vërtet një procedurë e lodhshme, ku duhet të harxhosh kohë, por edhe shuma të konsiderueshme parash. Duhen 51 mijë lekë të rinj minimalisht dhe vetëm për punën procedurale, pa llogaritur “zarfet poshtë derës”, si dhe 36 ditë kohë që biznesi yt të rreshtohet në tregun e lirë. Raporti i Bankës Botërore e ka analizuar të gjithë këtë proces, pra ka matur kohën dhe çdo shumë lekësh që i duhen një subjekti për t’u bërë biznes. Dita e parë nis me emrin identik të kompanisë, e cila të ha një ditë kohë për shkak se emri duhet unik dhe jo i ngjashëm. Të njëjtën kohë të ha edhe kalimi i kapitalit të nevojshëm në bankë. Noterizimi i dokumentacionit do të njëjtën kohë, një ditë pranë një noteri. Vështirësia më e madhe është në faktin e regjistrimit të subjektit në gjykatë, pasi, sipas specialistëve të Bankës Botërore, duhen minimalisht 18 ditë që të marrësh vendimin e gjykatës. Një kohë goxha të konsiderueshme do të hajë edhe regjistrimi pranë organeve tatimore. Dhe marrja e certifikatës tatimore do të kërkojë një kohë totale prej 10 ditësh. Vështirësi do të ketë edhe në disa procedura të tjera, si regjistrimi i biznesit në Inspektoratin e Punës, regjistrimi në një dhomë tregtie për t’u përfaqësuar, pagimi i taksa lokale, regjistrimi në Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore si dhe hapja e kompanisë. E gjithë kjo procedurë, e cila në pamje të parë paraqitet e thjeshtë, do të hajë minimumi 5 ditë. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, në raportin e tyre, cilësojnë se në realitet kërkohet një kohë e gjatë në Gjykatën e Tiranës për të regjistruar biznesin, duke hedhur edhe tezën e korrupsionit në këtë gjykatë. Kështu, sipas ligjit, duhen 8 ditë që të jepet vendimi nga Gjykata e Tiranës për formimin e një biznesi të ri, por ekspertët e Bankës Botërore kanë evidentuar se në realitet nevojiten më shumë. Një problem tjetër është edhe “mali” me dokumente që duhen për të shkuar në gjykatë. Sipas ekspertëve, shumica e tyre fare mirë mund të mos kërkoheshin, por Ligji numër 9751, “Për regjistrimin e kompanive”, kërkon një procedurë të tillë, por kjo situatë duhet të ndryshojë.
15 Maj 2008