Opozita: Projektbuxheti është i matur, qeveria ka në plan një buxhet të dytë elektoral
Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka diskutuar dje në parim projektbuxhetin për vitin 2009. Deputetët e opozitës, gjatë fjalës së tyre, kanë shprehur kritika për mungesën e një plani konkret për përballimin e krizës ekonomike në të cilën është përfshirë e gjithë bota. Socialistët në komision, duke e cilësuar të matur projektbuxhetin për vitin 2009, kanë shprehur dyshimin e tyre se qeveria do të përgatisë një buxhet të dytë elektoral, të cilin mund ta miratojë në muajin prill ose maj të vitit të ardhshëm, në prag të fushatës zgjedhore. Po kështu, opozitarët kanë vënë në dukje se nëpërmjet këtij projektbuxheti Partia Demokratike nuk përmbush programin politik të miratuar në vitin 2005 në Kuvend. Anëtarët socialistë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve gjithashtu kanë kritikuar ndarjen e fondeve për pushtetin vendor në bazë të preferencave politike.
Kritikat
Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, ka bërë të ditur se projektbuxheti për vitin 2009 nuk zbaton programin politik të Partisë Demokratike të miratuar në vitin 2005. “Më bën dyshues se ky projektbuxhet, madje dhe ju si maxhorancë, duhet ta shikoni me një sy tjetër, pasi ky është buxheti i fundit që paraqisni ju si maxhorancë, ndaj ky është një projektbuxhet që duhet të krahasohet me programin ekonomik që qeveria ‘Berisha’ ka paraqitur në vitin 2005, që ishte një program shumë ambicioz, për të cilën shqiptarët i dhanë votën. Fakti që në këtë projektbuxhet nuk realizohet programi i PD-së është në favorin tonë”, - është shprehur Fino. Ai gjithashtu ka kritikuar faktin se qeveria nuk ka paraqitur asnjë plan-veprimi për përballimin e krizës ekonomike. Fino sugjeroi që të bashkëpunohet me qeveritë e vendeve të rajonit për një plan të përbashkët antikrizë. “Qeveria nuk ka një plan konkret ndërhyrjeje antikrizë. Vetëm po t’i referohesh fondit të kontingjencës që ju keni paraqitur, por ky fond nuk është i mjaftueshëm dhe nuk realizohet pa pasur një plan konkret bashkëveprimi me të gjitha qeveritë e rajonit. Kriza financiare që aktualisht nuk e ka prekur Shqipërinë, por shumë shpejt do ta prekë dhe ishte momenti i duhur që qeveria në projektbuxhetin e vitit 2009 duhet të kishte paraqitur dhe një plan konkret për përballimin e krizës”, - është shprehur Fino. Sipas tij, kjo është bërë qëllimisht nga qeveria “Berisha”, pasi, sipas tij, PD-ja e di se do të humbasë zgjedhjet e vitit 2009 dhe kërkon t’ia trashëgojë krizën PS-së. “Por duhet të merrni shembull nga Barak Obama, që po bashkëpunon me Xhorxh Bushin për kapërcimin e krizës”, - është shprehur Fino. Ai vuri në dukje se projektbuxheti është hartuar me rezerva dhe tregon se është i matur në shpenzime, por, sipas tij, kjo lë hapësira për të dyshuar se qeveria është duke përgatitur një projektbuxhet tjetër elektoral. “Vihet re se projektbuxheti është planifikuar me rezerva dhe unë kam këtë mendim pse është planifikuar me rezerva. Unë mendoj se e bëni këtë që përpara fushatës elektorale ju të paraqisni në Parlament një projektbuxhet tjetër. Ju mund të paraqisni në muajt mars dhe prill një buxhet tjetër dhe kjo bëhet për efekt elektoral dhe ne këtë nuk mund ta lejojmë se në mes të vitit tjetër mbahen zgjedhjet që kanë koston e vet”, - është shprehur Fino.
Debati
Po kështu, deputetët e PS-së kanë kritikuar ndarjen politike të granteve për pushtetin vendor. Këtë shqetësim e ngriti socialisti Pandeli Majko. Gjithashtu nuk u cilësua normale që 60% e investimeve i janë lënë vetëm një ministrie dhe konkretisht Ministrisë së Transporteve. Socialistët vunë në dukje se ky projekt nuk realizon premtimin e PD-së për ndërtimin e apartamenteve për të pastrehët. Në komision ishin të pranishëm zëvendësministri i Financave, Florian Mima, si dhe drejtoresha e Buxhetit, Mimoza Dhëmbi. Në përgjigje të pyetjeve, Mima tha se grantet për pushtetin vendor ndahen nga një drejtori që ka statusin e nëpunësit civil dhe nuk ka ndasi partiake. Ndërsa Dhëmbi bëri të ditur se është një projekt i Bashkimit Europian për strehimin, që do të nisë zbatimin vitin e ardhshëm, por sipas saj, për këtë projekt ka pasur pengesa nga bashkitë që nuk kanë dhënë leje për ndërtimin e apartamenteve. Mima gjithashtu sqaroi dhe qëndrimin e FMN-së për projektbuxhetin e vitit 2009, duke bërë të ditur se FMN-ja e ka mbështetur këtë projekt.
13 Nentor 2008