E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komiteti i Helsinkit: Prishja e shtëpive në Fushë Krujë, antiligjore dhe jo humane

Familjet e Thumanës në kushte të mjeruara, prej ditësh jetojnë në qiell të hapur


Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kontestuar ashpër ditën e djeshme prishjen e shtëpive të 12 banorëve të Thumanës në Fushë Krujë. Në njoftimin e djeshëm Komiteti i Helsinkit bën të ditur se në datën 19 Prill, dy përfaqësues të kësaj organizate kanë shkuar në zonën

ku ka ndodhur edhe prishja e shtëpive për tu njohur me gjendjen, pretendimet dhe ankesat e banorëve të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë. Në njoftimin për shtyp të kësaj organizate thuhej se fëmijë, pleq, gra e burra, ishin në qiell të hapur e jetonin prej ditësh në disa çadra në kushte të mjeruara. Ndonëse ishin përpjekur të strehoheshin në kasolle bagëtish dhe çadra të ngritura pranë shtëpive të prishura, nuk mund të mbroheshin nga shiu që ka rënë ditët e fundit. Sipas kësaj organizate gjendja e këtyre shtetasve dhe e pasurisë së tyre, ishte shumë tronditëse Banorët ishin të traumatizuar, të dëshpëruar, të lodhur, të çorientuar dhe të pashpresë. Në njoftimin për shtyp thuhej se ne çadrat e sajuara nga vetë banorët jetonin edhe persona të moshuar ose në gjendje të sëmurë. Më datë 17 Prill, rreth 1 orë para ngjarjes, dy punonjës të policisë i kishin njoftuar verbalisht banorët e fshatit Thumanë në Fushë Krujë se shtëpitë e tyre do të prisheshin forcërisht. Banorët  të befasuar nga ky vendim i papritur kanë komunikuar në telefon me kryetarin e komunës së tyre, i cili për ti qetësuar i ka thënë se prishja e shtëpive ishte planifikuar për në datën 15 Maj, ashtu sikundër ata ishin vënë në dijeni, verbalisht, kohë më parë. Në fakt ka ndodhur e kundërta . Prishja filloi menjëherë, pa u lënë atyre as mundësinë për të larguar nga banesat sendet personale e familjare, të cilat janë ende nën rrënoja. Përfaqësuesit e KShH-së kanë dëgjuar ditën e djeshme ankesat e pronarëve që deklaruan se nuk ishin kundër shpronësimit për interes publik të pasurisë së tyre të paluajtshme por, mënyra se si vepruan strukturat e shtetit ndaj pasurisë së tyre, e konsiderojnë antinjerëzore. Gjithashtu edhe një sjellje që nuk e prisnin nga organet shtetërore. Banorët kanë vënë në dijeni përfaqësuesit e organizatës se në asnjë rast nuk ishin njoftuar zyrtarisht. Ndërsa përsa i përket kompensimit të banesave dhe shumës së parave të përcaktuar për to vetë banorët e konsiderojnë kompensimin të ulët, në përputhje me vlerën reale të pronave. Për këtë problem banorët i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Krujës, dosje e cila që në datën 23 Mars është në shqyrtim e sipër.


Shkeljet
KShH vlerëson se situata e krijuar me banorët e Thumanës në Fushë Krujë është e rëndë, dhe kjo është krijuar nga disa organe shtetërore, ndërsa veprimet e kryera bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Si pasojë është cënuar e drejta e pronës për shtetasit e sipërshënuar, si dhe është krijuar një farë ndjenje pasigurie për pronarët e tjerë të ligjshëm në vendin tonë. E drejta e pronës private, siç dihet, është e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ajo nuk mund të cënohet pa një proces të rregullt ligjor. Megjithatë akti themeltar i shtetit parashikon, se vetëm për interes publik dhe sipas parashikimeve të ligjit, mund të kryhen shpronësime apo kufizime të tjera të së drejtës së pronësisë, gjithmonë përkundrejt një shpërblimi të drejtë.


Shpronësimet
Ashtu siç sanksionon Kushtetuta, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr.8561, datë 22.12.1999, Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik, në të cilën përcaktohet, midis të tjerave dhe një procedurë e hollësishme për këtë qëllim. Në nenin 3 të ligjit të mësipërm thuhet: Shpronësimi dhe marrja në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private realizohet në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj, duke garantuar transparencën, barazinë e shtetasve dhe mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të tyre pasurore. KShH konstatoi se veprimet e kryera nga organet përkatëse shtetërore rezultojnë të jenë jo transparente dhe në dëm të interesave për të drejtat pasurore të shtetasve. Sipas ligjit të sipërcituar, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, me cilësinë e Ministrisë kompetente, është e detyruar ti bëjë njoftim të drejtpërdrejtë  secilit pronar a bashkëpronar në dy momente të procedurës së shpronësimit.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Merkure, 21 Prill 2010 20:34

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›