AMC nis bashkëpunimin në mbështetje të artit dhe kulturës në vend
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor bën të ditur se ka nënshkruar me Kompaninë AMC-ë një marrëveshje, e cila i jep kësaj kompanie atributet e partnerit zyrtar të dy sezoneve artistike, gjatë viteve 2009-2011. Duke filluar nga muaji mars 2009, aktivitetet që do të zhvillohen nga TKOBAP-ja do të mbështeten në mënyrë ekskluzive nga AMC-ja. Kompania “AMC”, shpreh mendimin se Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është institucioni që mbledh artistët më të mirë shqiptarë. Orkestra, kori, baleti dhe gjithë personeli i tij sjellin për të apasionuarit tituj interesantë, larmi shfaqjesh e koncertesh. Vetëm gjatë muajve në vazhdim janë planifikuar të ngjiten në skenë një numër veprash kombëtare, si dhe disa kryevepra botërore. Këtu vlen të përmenden shfaqjet më të afërta: “Die Schopfung” - (Krijimi), “Festivalin Koncertor të majit në opera”, operën “Falstaff” të Xh. Verdit, baletin “Rajmonda & Spartakus” e shumë të tjera. Projekte të tilla ambicioze patjetër që kërkojnë edhe përkrahje të gjithanëshme. AMC-ë u tregua e gatshme të japë kontributin e saj që publikut shqiptar t’i vijë një kalendar vjetor i pasur në aktivitete. Bashkëpunimi ekskluziv i Teatri Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor me “AMC”-në është një partneritet ku ndërthuren tradita e gjatë e institucionit kryesor të operas shqiptare me angazhimin e një kompanie të spikatur për kontributin e përhershëm për artin dhe kulturën në vend.
18 Prill 2009