E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: “Aplikimi në prill, pa rol të madh, të shohim pas zgjedhjeve”

Reagon edhe ambasadori i KE-së në Tiranë, Lohan: “Aplikoni pas zgjedhjeve”. Ambasadori shuan shpresat se gjatë 2009-s do të ketë liberalizim vizash

Kur kanë mbetur më pak se dy javë që Tirana zyrtare t’i paraqesë Presidencës çeke të BE-së kërkesën për anëtarësim, shtohen zyrat që kërkojnë shtyrjen e saj. Pas një sërë deklaratash të përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të BE-së në vendin tonë dhe zyrtarëve të lartë të Brukselit, reagimi më i fundit vjen nga ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Përmes një deklarate të bërë në qytetin jugor të Gjirokastrës, ai u shpreh se “do të ishte mirë që Shqipëria të aplikonte pas zgjedhjeve”. Ai ka bërë të qartë se edhe nëse qeveria do ta hedhë një hap të tillë, kjo nuk do të ketë rëndësi deri në përfundimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit të këtij viti. Dy ditë më parë, zëdhënësja e Komisionit Europian në Bruksel, Kristina Nagi, deklaroi se kjo është çështje e qeverisë shqiptare dhe e Presidencës çeke.
Deklarata e Lohan
Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, ambasadori Helmut Lohan, ka deklaruar dje nga Gjirokastra se vendet e Bashkimit Europian do të shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE vetëm pas zgjedhjeve të qershorit. Ai tha se Shqipëria do të ishte më mirë të aplikonte në një moment pas përfundimit të procesit zgjedhor. Gjithsesi, aplikimi i Shqipërisë tani në prill nuk do të ketë ndonjë rol të madh. Sipas Lohan, vetëm pas zgjedhjeve do të merret në shqyrtim kërkesa për kandidim e Shqipërisë, pasi zgjedhjet janë prova më e fortë e standardeve në vend.
Ai në mënyrë figurative ka thënë se "Shqipëria do të ketë mundësi të pijë ujë çezme". Që përkthehet ndryshe: Shqipëria do të jetë në BE.
Ambasadori Lohan ka mbajtur dje një leksion në Universitetin e Gjirokastrës, ku u ka folur studentëve për të gjitha hallkat, nga aplikimi deri tek anëtarësimi i një shteti në Bashkimin Europain.
Viza, jo para 2010-s
Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, është shprehur me tone pesimiste në lidhje me realizimin e procesit të liberalizimit të vizave gjatë këtij viti. Lohan ka prerë hovin e qeveritarëve shqiptarë duke theksuar se procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian është shumë i vështirë të realizohet gjatë vitit 2009. Kreu i KE-së në Tiranë ka bërë thirrje për angazhim maksimal në realizimin e reformave në mënyrë që të plotësohen kushtet për këtë proces. “Shqipëria do të ketë liberalizim vizash kur të jenë plotësuar të gjitha kushtet që janë parashtruar në dokumentin ‘MAP’ për legalizimin e vizave dhe besoj se do të ishte më realiste të mendonim se këto kushte kanë për t’u plotësuar në vitin 2010, sesa, siç shpresohet, në 2009-n”, - është shprehur nga Saranda Helmut Lohan.

Oli Ren “braktis” ceremoninë
Tashmë autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se më datë 28 prill do të paraqitet zyrtarisht aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ky fakt është konfirmuar jo vetëm nga qeveria “Berisha” dhe nga ministrja e Integrimit, Bregu, por edhe nga drejtues të lartë të Presidencës çeke në Tiranë dhe Pragë. Por, pikërisht ditën kur do të hidhet ky hap, vetë komisioneri për Zgjerimin, Oli Ren, nuk do të jetë i pranishëm në ceremoni. Sipas zëdhënëses se Komisionit Europian, Nagi, Ren ka aktivitete të tjera në axhendën e kësaj date. Autoritetet e Brukselit janë shprehur se përcaktimi i datës i takon Presidencës së BE-së, në marrëveshje me autoritetet shqiptare. "Përsa i përket Komisionit, ne jemi sigurisht në kontakt të rregullt me autoritetet e vendeve potencialisht kandidate, siç është Shqipëria, dhe në këtë kontekst çështja e një aplikimi të mundshëm është diskutuar disa herë gjatë muajve të kaluar, por siç e thashë më parë, i takon Presidencës të bjerë dakord për një datë të veçantë", - tha Kristina Nagi.
Ambasadorja çeke në Tiranë, Fialkova, pati deklaruar për gazetën se do të ketë një vizitë të kryeministrit Berisha në Pragë dhe shumë shpejt do të pranohet kërkesa e aplikimit. Pjesa më e madhe e ambasadorëve të shteteve të rëndësishme të BE-së në Tiranë janë shprehur për hedhjen e hapit pas përfundimit të procesit zgjedhor.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›