E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, si do të organizohet protesta e 10 tetorit



Shaban Sulçe

Partia Socialiste do të zhvillojë të shtunën e 10 tetorit protestën e saj të parë në kuadër të aksionit politik për hapjen e kutive të votimit. Protesta do të zhvillohet përpara selisë së Kryeministrisë dhe zyrës së kryeministrit Berisha, të cilit i është adresuar edhe kushti i rëndësishëm i PS-së për hyrjen në Kuvend. Përpara selisë së Kryeministrisë do të vendoset edhe tribuna, ku pritet të mbajnë fjalën e tyre liderët e opozitës dhe krerët e partive të djathta opozitare, të cilat do të marrin pjesë në këtë protestë. Protestuesit opozitarë do të mbajnë parulla, në të cilat do të kërkohet hapja e kutive të votimit dhe transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjithashtu mësohet se nuk do të mungojnë edhe flamujt dhe simbolet e partive pjesëmarrëse në këtë protestë.

Liderët
Në krye të protestës do të jetë lideri i PS-së, Edi Rama, së bashku me drejtues të rëndësishëm të PS-së, liderët e partive të majta aleate PSD, PDS, PBDNJ dhe G99, por edhe liderët e partive të djathta opozitare, si Nard Ndoka i PDK-së dhe Spartak Ngjela i PLD-së. Mësohet se përveç Gjinushit, Milos, Dules dhe Veliajt, e drejta e fjalimit do t’u rezervohet edhe drejtuesve të partive të djathta, të cilët do të denoncojnë manipulimet në zgjedhje dhe do të kërkojnë hapjen e kutive të votimit. Në fund të protestës do të jetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që do të mbajë fjalimin dhe do të paraqesë apelet dhe kërkesat në drejtim të kryeministrit Berisha.

Anëtarësia

Partitë e opozitës tashmë kanë nisur përgatitjet për të ftuar në këtë protestë sa më shumë mbështetës dhe anëtarë të tyre. Një rëndësi të veçantë po i kushton kësaj çështjeje Partia Socialiste. Për të mbështetur këtë protestë pritet të vijnë edhe një numër i madh i anëtarëve të Partisë Socialiste në rrethe. Selia rozë ka kërkuar nga degët e saj në rrethe që të organizojnë sa më mirë anëtarësinë për të qenë pjesë e kësaj proteste. Për këtë arsye, Rama zhvilloi dy ditë më parë një drekë pune me deputetët e Partisë Socialiste, të cilëve u ka kërkuar që të ftojnë sa më shumë votues dhe mbështetës nga zonat e tyre elektorale. Po kështu mësohet se një gjë e tillë po kërkohet edhe nga degët e PS-së në kryeqytet. Madje, për këtë arsye, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka nisur një tur takimesh me asambletë lokale të PS-së në të 11-të njësitë bashkiake të kryeqytetit.

Të djathtët

Pjesëmarrja në protestën e 10 tetorit është konfirmuar deri tani nga kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka dhe kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Ndoka dhe Ngjela kanë shprehur mbështetjen për qëllimin e kësaj proteste, duke bërë publike të njëjtën kërkesë si Partia Socialiste: Hapjen e kutive të votimit. Ngjela dhe Ndoka, së bashku me anëtarësinë e partive të tyre, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Partisë Socialiste për të qenë të pranishëm në këtë protestë. Kjo çështje ka qenë edhe tema e takimeve që ata kanë zhvilluar kokë më kokë me kreun e PS-së Edi Rama pak ditë më parë. Ndërkaq mësohet se kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka refuzuar t’i bashkohet protestës së 10 tetorit. Sipas Shehit, Partia Socialiste është po aq bashkëfajtore sa Partia Demokratike për atë që ndodhi në zgjedhjet e 28 qershorit.

Takimi me deputetë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dy ditë më parë një drekë pune me pjesën më të madhe të deputetëve të Grupit Parlamentar. Tema kryesore e këtij takimi kanë qenë përgatitjet dhe organizimi për mitingun e 10 tetorit që do të zhvillojë Partia Socialiste si shenjë proteste ndaj qëndrimit të maxhorancës për të mos hapur kutitë e votimit dhe për të mos garantuar transparencën e zgjedhjeve. Kreu i PS-së u ka kërkuar deputetëve të tij që të sigurojnë një pjesëmarrje sa më të madhe, duke thërritur në protestë sa më shumë mbështetës dhe votues të PS-së nga zonat e tyre elektorale.

Takimi me asambletë

Rama do të takohet gjatë kësaj jave edhe me asambletë lokale të PS-së në të 11-të njësitë bashkiake të Tiranës. Në këto takime Rama pritet t’u shpjegojë drejtuesve të PS-së së kryeqytetit arsyet se përse Partia Socialiste bojkoton Kuvendin dhe arsyet se përse PS-ja do të zbresë në sheshin e protestave në datën 10 tetor.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›