E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komitetit per 100-vjetorin e Pavaresise miraton bocetin fitues

Komitetit për 100-vjetorin e Pavarësisë miratoi bocetin fitues për monumentin e këtij eventi të rëndësishëm për historinë e vendit. Ndërkohë që në garë së fundmi mbetën tre bocete, të votuara nga juria e ngritur për një çështje të tillë. 

Nga ana e tij, Kryeministri, Sali Berisha vlerësoi të pesë bocetët e përzgjedhura nga ekspertët, ku sipas renditjes, monumenti i parë mori 31 pikë, i dyti 27 pikë, i treti 13 pikë, i katërti i 12 pikë dhe monumenti i pestë 11 pikë.

Por ndërkaq, duke i kushtuar rëndësi vetë simbolikës që përfaqëson për historinë e vendit, kreu i qeverisë propozoi për Bashkinë e Tiranës që të përzgjedhë prej tyre veprën që i shton më shumë vlera kryeqytetit.

Po kështu, sipas tij, përveç monumentit të Pavarësisë, Bashkia e Tiranës duhet të hapë edhe një konkurs për përzgjedhjen e një shqiponje, me qëllim që kryeqyteti të ketë shqiponjën simbol të tij.

“Bijtë e shqipes do ta duan shqiponjën diku, po le t’ia lëmë kryetarit të Bashkisë të hapë një konkurs për të ngritur një shqiponjë, që të bëhet simbol i Tiranës. Ai që ishte para tij nuk ngriti asgjë, shpërndau një kartolinë në fund të mandatit, duke u vetëdeklaruar dadaist”, vuri në dukje Berisha. 

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje shefi i qeverisë u ndal dhe tek familje mbretërore, duke kërkuar me insistim kthimin e eshtrave të mbretit Zog në Tiranë sa më shpejt. Madje, Kryeministri propozi dhe ndërtimin e varrezave mbretërore që kjo familje i ka pasur. 

“Rikthimi i eshtrave të Mbretit Zog duhet të realizohet patjetër, brenda një afati sa më të shkurtër. Kjo duhet të shoqërohet me ndërtimin e varrezave të familjes mbretërore, i ka pasur ato. Mbi këtë familje është kryer një akt makabër, është minuar varri i nënë së Ahmet Zogut për fajin e vetëm që i dha Shqipërisë një burrë që kërkoi të ndërtojë një shtet”, vlerësoi Berisha. 

Njëkohësisht, në këtë takim u diskutua për kthimin e eshtrave të shumë figurave të tjera me rëndësi në historinë e kombit, përfshirë këtu dhe emrin e Sami Frashërit, si dhe rikonstruksionin e monumenteve ekzistuese në kryeqytet.   

Nga ana e tij, ministri i Kulturë, Aldo Bumçi bëri me dije se për përzgjedhjen e monumenteve për 100 vjetorin e Pavarësisë ka patur 10 ditë votime të drejtpërdrejta dhe elektronike, ku sipas tij, votuan 6500 qytetarë online, 182 qytetarë drejtpërdrejtë.

Qeveria miratoi dhe tre postet e renditur si të parët po në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, ndërsa piktura “Shqipëria Fantastike” e Ibrahim Kodrës mund të riprodhohet për t’u përdorur në salla të veçanta apo si dhuratë, në marrëveshje me fondacionin. Kalendari i aktiviteteve në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë u shty për javën e ardhshme, ndërsa katër monumente janë ndërtuar e të tjerë pritet të ndërtohen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›