E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompania “Edil Al” padit kryeministrin Sali Berisha



Kompania “Edil Al”, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka shprehur shqetësimin e saj për klimën e krijuar pas sulmeve të pabaza, tendencioze dhe të paskrupullta që kryeministri i vendit, z. Sali Berisha dhe qeveria e tij po ndërmarrin ndaj saj. Kompania “Edil Al” i bën thirrje gjithë opinionit publik në vend, Presidentit të Republikës, Trupit Diplomatik, organizmave në mbështetje të biznesit, institucioneve ndërkombëtare se veprimi i qeverisë shqiptare për të sulmuar një kompani private biznesi për kapital thellësisht politik, është një agresion i mirëfilltë dhe një alarm i fortë për fatin që ka demokracia në Shqipëri. Kompania “Edil Al” po sulmohet thjesht dhe vetëm se është bashkaksionere në media të pavarura, të cilat nuk bëjnë pjesë në klanin e mediave të vëna nën kontrollin e rreptë politik të qeverisë. Vizion Plus, paketa dixhitale “Tring”, gazetat “Albania” dhe “Korrieri” kanë qenë dhe mbeten të pavarura, në ruajtje të parimeve të mirëfillta profesionale, gjë e cila nuk i ka shkuar për shtat qeverisë. Ndaj, si ndëshkim ndaj këtij integriteti të mediave në të cilat “Edil Al” posedon aksione, qeveria nuk ka pushuar përgjatë gjithë vitit 2008 të bëjë kontrolle të njëpasnjëshme financiare, si mjet i pastër presioni ndaj mediave të pavarura. Duke qenë që prej themelimit një nga taksapaguesit më të mëdhenj në vend si biznes privat, “Edil Al” është përballur me këto presione me qetësi dhe transparencë. Por, edhe pse shteti nuk mundi të gjejë asgjë antiligjore gjatë gjithë kësaj periudhe kontrollesh, kjo nuk e ndryshoi qëllimin e kryeministrit për të dëmtuar kompaninë tonë. Prej disa muajsh, zoti Sali Berisha ka nisur një fushatë shpifjesh e trillimesh, përbaltje dhe akuzash të rreme ndaj “Edil Al”, duke dëmtuar rëndë interesat tona dhe duke krijuar në ambient bindjen se nëse nuk vihemi nën tutelën e klanit të tij qeverisës, do të shkatërrojë biznesin tonë. Përballë kësaj gjendjeje anormale, ne kemi përgatitur një padi civile ndaj kryeministrit Sali Berisha, pasi imuniteti që posedon ky qeveritar frenon Gjykatën dhe Prokurorinë të nisë çështje penale për këto shpifje dhe mashtrime monstruoze. Është i njëjti imunitet për të cilin me demagogji qeveria shqiptare thërret se nuk do ta përdorë në asnjë rast. Në një vend normal, këto akuza të rreme do të binin menjëherë, duke bërë që të frenohej kryeministri, që me lehtësi shpif për mijëra metra katrorë dhe hapësira publike të shfrytëzuara gjoja prej nesh. Kompania “Edil Al” deklaron se gjatë viteve 2006-2009 ka vetëm 21 mijë metra katrorë leje ndërtimi, të gjitha të aprovuara prej shumicës së djathtë në Këshillin Bashkiak. “Edi Al” nuk ka shfrytëzuar asnjë metër truall publik; kjo një tjetër shpifje e kryeministrit. Kompania jonë, që nga themelimi deri sot, në të gjitha kontrollet e ushtruara nga Tatim-Taksat dhe institucionet e tjera fiskale, rezulton se i ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj ligjit, përfshi dhe vitin 2008. Pra i gjithë ky presion dhe çdo përpjekje e mëtejshme në dëm të kompanisë, është presion i pastër politik. Ky presion ka nisur dhe po përshkallëzohet prej mëse 2 vjetësh, fakt për këtë është se megjithëse janë plotësuar të gjitha procedurat e legalizimit, dosjet e kompanisë ngelen të bllokuara me urdhër nga lart në hipotekë. Për sa më sipër disponojmë të gjitha faktet, provat dhe dëshmitë, të cilave kryeministri u fshihet prej imunitetit, materiale që do të depozitohen në Gjykatë. “Edil Al” bën apel edhe njëherë që qeveria duhet t’i japë fund presionit ndaj biznesit dhe ta konsiderojë atë ashtu siç është, aset kombëtar. Në familjen europiane ku aspirojmë të bëjmë pjesë, biznesi po merr nga qeveritë respektive gjithë mbështetjen e mundshme në këtë kohë krize. Ndërsa në Shqipëri biznesmenët po quhen mafiozë, ndërsa ndaj bizneseve po krijohen komisione të veçanta kontrolli, të njëjta me ato që shpronësonin kulakët, borgjezët dhe antikomunistët nga Enver Hoxha.

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›