E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Arsimi dhe farmaceutika, “lavatriçeve” të parave të pista



Ervin KOÇI

Sektori i arsimit dhe ai farmaceutik janë dy prej fushave ku bëhet veprimtaria e paligjshme e pastrimit të parave. Në të dy këta sektorë jetik kohët e fundit janë investuar jo pak para dhe numri i farmacive ashtu si ai i shkollave private është tepër i madh, sa i kalon dhe nevojat për frymë të popullsisë. Këto të dhëna janë pjesë e një raporti të fundit të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Ky raport i paraqitur pak kohë më parë dhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend, ka pasur të detajuar rastet e hetimit të aktiviteteve të dyshimta, për të cilat ka pasur dyshime mbi veprimtarinë e pastrimit të parave. Sipas kësaj drejtorie, tashmë në rrjetin e "parave të pista" kanë hyrë edhe sektorët e arsimit dhe farmaceutikës. "Kemi deduktuar raste të dyshimta, ku paratë, të cilat nuk kanë burime të ligjshme, janë investuar në degë të ndryshme të ekonomisë si ndërtim, hoteleri, shitblerjen e pronave të paluajtshme, janë investuar në arsim e në sektorin medicinal, janë depozituar në banka",- tha Arben Doçi, shefi i DPPP-së. Sipas tij, janë lëshuar 18 urdhra për bllokimin e 36 llogarive bankare, me vlerë totale 3.2 milionë euro ose rreth 4 miliardë lekë të vjetra. Për vitin 2009, pranë DPPP-së janë raportuar 77 raste me aktivitet të dyshimtë, nga 152 që ishte në vitin 2008, kurse në 2007-n u regjistruan 748 raste. Një raport i tillë ka dalë menjëherë pas publikimit edhe në gazetën “Albania” të disa pasazheve të një raporti sekret të Departamentit Amerikan të Shtetit, në lidhje me problemin e pastrimit të parave në Shqipëri. Sipas raportit të DASH-it, fenomeni i pastrimit të parave vazhdon të jetë në përmasa tepër të mëdha në ekonominë shqiptare dhe ka pushtuar shumë sektorë të saj.

Krimi financiar

Lufta ndaj krimit ekonomik është vendosur në planin kryesor të mandatit të dytë të qeverisë "Berisha". I detajuar në disa pika, zbatimi i dokumentit strategjik kombëtar "Për hetimin e krimit ekonomik" fillon në vitin 2009 dhe përfundon më 2015-n. Për hartimin dhe zbatimin e strategjisë së re kanë marrë pjesë institucionet kryesore që luftojnë krimin ekonomik, si prokuroria, tatimet, doganat, Policia e Shtetit, SHISH-i, Banka e Shqipërisë, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Ministria e Drejtësisë, si edhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara. Krimi Ekonomik, pastrimi i parave (një prej formave më tipike të krimit ekonomiko-financiar, përkufizohet si "një proces kompleks i fshehjes së origjinës së pasurive të siguruara në mënyrë ilegale") dhe financimi i terrorizmit, sipas dokumentit strategjik, përbëjnë një rrezik serioz për besueshmërinë e sistemit financiar. Objektivi kryesor për të realizuar me sukses luftën ndaj krimit ekonomik do të jenë transfertat bankare, bilancet, auditimi etj.

Pastrimi i parave

Një prej formave më tipike të krimit ekonomiko-financiar përkufizohet si "një proces kompleks i fshehjes së origjinës së pasurive të siguruara në mënyrë ilegale". Pengesë për futjen në treg të aseteve të fshehura është bërë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili kërkoi nga qeveria kujdes të rreptë në zbatimin e procesit të amnistisë. Megjithatë, në dy vitet e fundit, qeveria është përpjekur të krijojë shtigje ligjore në kanalizimin e parave të padeklaruara në bilanc. Sikurse e citon Ministria e Financave në projektligjin "Për tatimin mbi të ardhurat", administrata tatimore has në vështirësi për deklarimet e bizneseve, kur ato i shtojnë kapitalet nga burime jashtë aktivitetit. Pra biznesit i është lejuar "donacioni", por pa e tatuar, kurse me variantin e ri propozohet vendosja e taksës 10 për qind. Një tjetër nen i projektligjit "Për procedurat tatimore", turbullon disi botën e financave. Në të thuhet se "kategori tatimi do të jenë edhe të ardhurat e krijuara nga aktivitete të jashtëligjshme". Sipas Drejtorisë së Tatimeve, deri më sot (që nga dita kur u miratua ligji), nuk ka statistika që të jetë tatuar ndonjë e ardhur nga aktiviteti i jashtëligjshëm, edhe pse në kronikat e zeza janë dokumentuar sekuestrime të ndryshme pasurish.

Kazinotë, miratohet projektligji për liberalizimin e licencave

Kazinotë tani mund të hapen në çdo qytet të vendit. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar dje projektligjin e qeverisë për liberalizimin e licencave për këtë lloj biznesi. Ndërsa deri tani kazinotë mund të hapeshin vetëm në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Lezhë, në draftin e ri ky kufizim hiqet. Projektligji i miratuar nga Komisioni i Ekonomisë parashikon gjithashtu që një subjekt nuk mund të marrë më shumë se një licencë. Kompetencat për dhënien e licencës kalojnë nga Ministria e Ekonomisë në atë të Financave. Projektligji parashikon edhe ndryshime të tjera. Një prej tyre është moslejimi për të marrë pjesë në lojëra fati të personave nën moshën 18 vjeç dhe atyre që shkaktojnë probleme në familje. Drafti i miratuar nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë parashikon edhe disa ndryshime në barrën fiskale për këtë lloj aktiviteti. Kështu taksa mbi bastet sportive ulet nga 10 në 5 për qind të qarkullimit të parave ndërkohë që janë vendosur kufij të poshtëm në bazë të së cilit nuk mund të paguhen më pak taksa. Ulje me 30 për qind pëson edhe tarifa fikse për çdo pikë basti. Projektligji parashikon që së paku 50 për qind e xhiros duhet të jepet si fitim për lojtarët, ndërkohë që një pjesë e gjobave për të gjitha kategoritë janë rishikuar me tendencë ulje. Në draftin që pritet të kalojë së shpejti për miratim në parlament parashikohet një rritje e kompetencave për Agjencinë e Kontrollit të Lojërave të Fatit, me qëllim mbikëqyrjen më intensive të këtij biznesi.

Bien të ardhurat nga zhdoganimi i karburanteve, shtohet sasia e importuar

Sasia e karburanteve të zhdoganuara ka ardhur në rritje, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga akciza e këtij produkti kanë ardhur në rënie. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, karburantet e zhdoganuara gjatë nëntëmujorit të vitit 2009 janë 332,095 ton nga 312,840 ton që ishin një vit më parë. Ndërkaq, të ardhurat kanë pësuar një rënie prej 342 milionë lekësh. Sipas ekspertëve të Financave, kjo mund të jetë pasojë e ndryshimit të strukturës së akcizës mbi naftën, e aplikuar që nga periudha mars-prill 2009. Tashmë ky tregues shprehet në shumë fikse dhe jo në përqindje ndaj çmimit. Madje, për muajt e parë të vitit 2009, çmimi i naftës në import ishte ndjeshëm më i ulët se sa çmimi i një viti më parë. Gjithashtu, ekspertët kanë theksuar se shkak tjetër mund të jenë dhe procedurat për shtyrje të pagesës së akcizës për sasi të caktuara karburanti të importuara. Kjo tendencë është ruajtur gjatë gjithë këtij viti. Sipas të dhënave nga administrata doganore, karburantet e zhdoganuara gjatë 7-mujorit të vitit 2009 janë 233,106 ton nga 218,816 ton të një viti më parë, por të ardhurat nga akciza mbi karburantet janë mbledhur për këtë periudhë në masën 11.4 miliardë lekë, gati sa e njëjta vlerë me 7-mujorin e vitit 2008.

Përditësimi i fundit: 12:30:20, 07.12.2009

Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari Amerikan USD 92.66 +1.09
EURO EUR 137.42 -0.47
Poundi Britanik GBP 151.67 -0.56
Franga Zviceriane CHF 90.85 -0.74
Jeni Japonez (100) JPY 102.95 -0.81
Dollari Australian AUD 84.27 -0.41
Dollari Kanadez CAD 87.46 +0.65
Korona Suedeze SEK 13.17 -0.14
Korona Norvegjeze NOK 16.23 -0.04
Korona Daneze DKK 18.46 -0.08
SDR SDR 149.02 +1.43
Ari(OZ 1) XAU 106051.52 -4,057.65
Argjend(OZ 1) XAG 1679.03 -40.60

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›