Studimi, televizori pengon zhvillimin e të folurit te fëmijët
Fëmijët, të cilët kalojnë shumë kohë duke shikuar televizorin, duke luajtur video-lojëra ose duke kërkuar në internet, janë të prirë që të kenë më shumë probleme, përfshirë edhe ato shëndetësore. Një studim i kryer nga shkencëtarë pranë Universitetit të Shtetit Nju Meksiko e lidh përdorimin e shpeshtë nga fëmijët të televizorit, video-lojërave dhe telefonit celular me shtimin e disa faktorëve negativë të shëndetit të tyre, përfshi sjelljet e dhunshme, mbipeshën dhe përdorimin e drogave. Ndërsa një studim mes foshnjave dhe fëmijëve të vegjël tregon se duke parë televizor qoftë edhe një orë në ditë, kjo afekton mënyrën se si ata flasin, ngadalëson zhvillimin e tyre gjuhësor, ndërsa në marrëdhëniet prindër–fëmijë, televizori bëhet pengesë për komunikim. Mesatarisht 6 orë në ditë, fëmijët amerikanë i kalojnë duke parë televizor, apo përpara video-lojërave dhe kompjuterit. Kjo është më shumë kohë sesa ata shpenzojnë në shkollë duke lexuar e shkruar. Një studim botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë tregon se shtimi i kohës së fëmijëve para televizorit lidhet me shtimin e gjasave për mbipeshë trupore, pirje duhani, sjellje të pahijshme dhe çrregullime në të ngrënë.
Ndihmesa
Përveç efekteve negative të parashtruara më sipër, televizori mund t’i ndihmojë fëmijët. Nëpërmjet programeve edukative që shohin, ata marrin njohuri e mësojnë rreth shkencave. Edhe interneti është një mjet i vlefshëm për kërkime në fusha të ndryshme të dijeve. Por shkencëtarët paralajmërojnë se në këtë proces, fëmijët kanë nevojë edhe për kontrollin e prindërve a të rriturve. Shumë fëmijë kanë në dhomën e gjumit televizorë, kompjuterë e telefona celularë. Ekspertët thonë se prindërit duhet të kujdesen që fëmijët t’i përdorin këto mjete jo më shumë se 2 orë në ditë, si dhe të diskutojnë me fëmijët e tyre rreth përmbajtjes së programeve televizive dhe lojërave video. Ndërsa Akademia Amerikane e Pediatërve këshillon që fëmijët nën moshën 2-vjeçare nuk duhet të shohin televizor. Televizori dëmton edhe komunikimin mes prindërve dhe fëmijëve.
Studimi
Shkencëtarët morën në shqyrtim 300 fëmijë nga mosha 2 deri 4 vjeç. Pranë tyre, u vendosën aparate për regjistrimin e fjalëve që fliteshin nga të rriturit pranë dhe përgjigjet a reagimet me zë që jepnin fëmijët. Rezultatet treguan se kur televizori ishte hapur, të rriturit thanë 770 fjalë më pak sesa kur televizori kishte qenë i mbyllur. E njëjta gjë ndodhte edhe me fëmijët. Gjithashtu këta fëmijë reaguan më pak, ose me përgjigje fare të shkurtra ndaj pyetjeve të prindërve, ndërsa shihnin televizor. Shkencëtarët thonë se ky pakësim në komunikim mund të shpjegojë arsyen përse fëmijët që shohin më shumë televizor mbeten mbrapa në të folur a zhvillim gjuhësor. Gati çdo i pesti fëmijë që shkon në kopsht parashkollor është i shëndoshë! Mësuesit e sportit dhe mjekët e fëmijëve vërejnë përveç kësaj, që lëvizjet e shumë fëmijëve janë të pamjaftueshme dhe se shumë të rinj kanë një qëndrim të keq të trupit, që mund të çoj deri te dëmtimi i kurrizit. Mënyra jonë e jetës, por edhe ambienti jonë ka ndryshuar shumë në dhjetëvjeçarin e fundit. Kështu është shtuar trafiku rrugor dhe dendësia e ndërtimit, gjë që ka bërë, që fëmijët të mos munden të luajnë në rrugë apo vende tjera, përveç vendeve posaçërisht të parapara për lojë. Hapësira e aksioneve të fëmijëve dhe mundësit e tyre që ta njohin ambientin në mënyrë aktive dhe ta “robërojnë” atë janë bërë të kufizuara fortë, dhe kështu nevoja për lëvizje natyrore është e penguar. Është bërë një mbartje e lojërave nga jashtë brenda, që përmes konsumit medial po bëhet më e fortë.
Mediat
Një ofertë e gjerë e mediave qëndron sot në dispozicion të fëmijëve. Mediat në përditshmërinë e fëmijëve janë sot të natyrshme. Aty bënë pjesë televizori, radio, CD-Player, video-lojërat dhe video-filmat, DVD, revistat, kompjuteri deri te interneti. Konsumi medial do të thotë kufizim për aktivitetin trupor. Për këtë arsye, fëmijët dhe të rinjtë duhet të mësojnë aktivisht si të sillen me këto media. Sjellja e vërtetë nuk do të thotë vetëm që të dinë të shërbehen me këto media, por para së gjithash, të mësojnë që me shumë masë dhe në mënyrë kritike t’i shfrytëzojnë. E pranishme duhet të jetë loja, lëvizja, ecja, britma dhe takimet me shoqëri, por ashtu si qëndrojnë që nga vendi ë parë! Nëse fëmijëve ju afrohet mundësia që jashtë (në oborr, në hyrje të shtëpisë, në rrugë apo vendin e lojës) të rrinë, kështu harrojnë ata disa emisione të rëndësishme për ta në televizor. Jepuni pra ju fëmijëve tuaj mundësinë, që të takohet me shokë, apo ftoni fëmijë tjerë që të vinë të luajnë te ju. Fëmijët kanë mjaftë fantazi, që të gjejnë lojëra, ata nuk duhet gjithmonë të jenë në përkujdesje. Fëmijët që e shikojnë shumë shpesh televizorin nuk kanë veprimtari tjetër. Por e shikojnë televizorin nga monotonia apo luajnë video-lojëra. Rreziku, që këta fëmijë të shëndoshen është shumë i madh, sepse lëvizin shumë pak dhe mjerisht një pjesë e tyre hanë edhe sheqerka dhe chips para televizorit. Kështu vjen rreziku, që fëmijët pa zgjedhur dhe pa kontrolluar shikojnë çdo gjë që transmetohet. Disa emisione që transmetohen në mëngjes në asnjë mënyrë nuk janë të dedikuar për fëmijë, apo skena të dhunës që paraqiten në film, munden te fëmijët të shkaktojnë frikë dhe agresivitet.
Pasojat e skenave të dhunshme të filmave te fëmijët
Shumë psikologë janë të mendimit se skenat e dhunshme të para nga fëmijët, i japin një shembull të keq atyre, duke i bërë të dhunshëm. Fëmija, i cili sheh një skenë të dhunshme në televizion, jo vetëm që e imiton menjëherë, por e përsërit dhe më vonë. Këto pasoja shtohen me kalimin e kohës. Fëmijët që i ndjekin për orë të tëra programet në televizor ka më shumë mundësi të bëhen agresivë, sesa fëmijët që i ndjekin më pak ato, apo nuk shohin fare televizor. Gjithashtu, sa më agresivë bëhen ata, aq më shumë skena të dhunshme duan të shohin. Fëmijët parashkollorë ndikohen më shpejt dhe më tepër nga dhuna e shfaqur në programet televizive sesa fëmijët më të mëdhenj, sepse ata e kanë më të vështirë të dallojnë fantazinë, përrallën nga e vërteta. Për fat të keq, edhe në përrallat me kartona, të cilat pëlqehen nga fëmijët e vegjël, përsëri ka shumë skena të dhunshme. Prindërit shpesh mendojnë që fëmijët e kuptojnë vetë se përrallat me kartona nuk janë të vërteta. Por nga studimet që janë bërë është kuptuar se përrallat te fëmijët kanë po atë efekt, që kanë telenovelat tek të rriturit. Edhe shpejtësia e skenave i bën përshtypje fëmijëve. Sipas një studimi, filmat me ndryshime të shpejta skenash (si tek përrallat me kartona), rrisin agresivitetin te fëmijët. Një arsye tjetër pse ndikojnë kaq shumë skenat me dhunë tek fëmijët, është se fëmijët nuk i kuptojnë dot pasojat e vërteta që sjell dhuna. Fëmijët, që shohin shumë shfaqje me dhunë në televizor, mund të mos veprojnë (të mos bëjnë asgjë) kur ndeshen me veprime të dhunshme në jetën e vërtetë dhe, me ose pa dashje, mund t’i lejojnë të tjerët t’i dhunojnë. Koha e harxhuar para ekranit, gjatë së cilës fëmijët mund të bëjnë gjëra të tjera, që u bëjnë shumë më mirë Shumë studiues shpjegojnë se televizori ndikon më shumë për keq, sesa për mirë te fëmijët. Ai iu “vjedh” atyre kohën e lojës, i bën ata më pak krijues, më pak shoqërorë dhe të varur. Sot është shumë e vështirë të gjesh familje të cilat nuk kanë televizor në shtëpi. Por, një gjë është e sigurt, fëmijët, të cilët shohin qëndrojnë për shumë kohë para televizorit, kanë më pak arritje në shkollë, sesa ata fëmijë që shohin më pak.
Si t’i mbrojmë fëmijët nga “dhuna televizive”
Të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm ndaj programeve që shohin fëmijët tanë dhe disa prej tyre t’i shikojmë së bashku me ta
Të programojmë kohën, duke vendosur kufij për orët e shikimit të televizorit
Të mos vendosim televizor në dhomën e fëmijëve
T’u tregojmë dhe t’u shpjegojmë fëmijëve ndryshimin mes filmit dhe jetës (aktori nuk vritet, nuk vdes vërtet, kurse në jetë dhuna sjell vërtet vdekjen)
Të mos lejojmë fëmijët të shohin filma, që dihet se kanë skena dhune. Kur ndeshemi me to në prani të fëmijës, të ndërrojmë kanalin ose të fikim televizorin, duke u shpjeguar se pse nuk duhet parë ky program
Të shprehem mospëlqimin tonë për skenat e dhunshme para fëmijëve, të theksojmë më shumë se një herë se problemet nuk duhet të zgjidhen me dhunë
8 Dhjetor 2009