E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, humb jetën i riu nga Kosova



LIBRAZHD - Një 19 vjeçar me banim në Prishtinë të Kosovës humbi jetën të enjten në mbrëmje, pasi makina të cilën drejtonte doli nga rruga në vendin e quajtur Qukës, në aksin rrugor Librazhd - Pogradec. Policia bëri të ditur se "A.A, 19 vjeç me banim në Prishtinë të Kosovës, humbi jetën në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, teksa makina tip BMË me targë 534 KS 999 që ai drejtonte doli nga rruga".

Në kërkim dy të rinj, vodhën ndërmarrjen e ujësjellësit

ELBASAN - Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim dy të rinj, pasi akuzohen për vjedhjen e një materiali çeliku, pronë e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në këtë qytet. Gëzim Bedeli, 22 vjeç, me banim në fshatin Tregan të rrethit të Elbasanit dhe Aldo Qosja, 20 vjeç, me banim në fshatin Llixhë të Elbasanit, në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë vjedhur një tub FI çeliku me gjatësi 15 metra, pronë e ndërmarrjes së ujësjellësit.

Ndalohet 46 vjeçari, iu gjet në banesë një armë pa leje

VLORË - Policia e Vlorës arrestoi mbrëmjen e së enjtes një 46 vjeçar nën akuzën e armëmbajtjes pa leje. Burime zyrtare të policisë lokale thanë për ATSH-në se, Dhimitër Zotaj, 46 vjeç, u ndalua nga policia, pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij u gjet një armë zjarri automatike, si dhe një sasi prej 178 fishekësh. Ai do të ndiqet për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.

Ndalohet 21 vjeçari për kontrabandë të gjësë së gjallë

KUKËS - Policia e Kukësit ndaloi në 21 vjeçar, i cili dyshohet për kontrabandë të gjësë së gjallë nga Kosova. Sipas burimeve zyrtare, “Erzan Kovaci, 21 vjeç, banor i fshatit Përbreg u ndalua të enjten në fshatin Morin, rreth një kilometër larg doganës së Morinit, ku pas një kontrolli në mjetin tip benz, me targa LA 3634 A është konstatuar se transportoheshin një numër viçash që dyshohet se janë futur në territorin shqiptar kontrabandë.

Policia asgjëson 445 rrënjë kanabis

VLORË - Të paktën 445 rrënjë bimë narkotike Cannabis sativa u asgjësuan nga policia në fshatin Rexhepaj dhe Dushkarak, përkatësisht 35 dhe 25 km larg qytetit të Vlorës. Bimët narkotike, me një lartësi prej 1.5 deri në 2 metra ishin kultivuar në parcela pa pronarë dhe të çelura rishtas për këtë qëllim në terrene të thyera, kryesisht pranë përrenjve, gjë që e vështirëson procesin e identifikimit dhe kapjen e personave, që dyshohet se kanë lidhje me to. Gjatë javëve të fundit, policia ka asgjësuar rreth 8445 rrënjë bimë narkotike, si dhe ka ndaluar 4 persona të akuzuar për kultivimin e tyre.

26 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›