E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompania e Sigurimeve Sigma feston 10-vjetorin e krijimit

 

Kompania e parë e sigurimeve në Shqipëri ka festuar dje 10-vjetorin e krijimit të saj. Pas 10 vitesh pune, sot kjo kompani u shërben rreth 100 mijë klientëve dhe ofron 20 produkte sigurimi. Degët e saj janë të shtrira jo vetëm në të gjithë vendin por edhe në Kosovë e Maqedoni. Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm, Qemal Disha, u shpreh se Kompania Sigma sot zë një vend të rëndësishëm në tregun shqiptar. Ngjarja më e rëndësishme për kompaninë konsiderohet viti 2007, kur Sigma u bë pjesë e VIG grupit më të madh të sigurimeve në Austri dhe në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Vig është i pranishëm në 23 vende me 44 kompani. Vetëm pak ditë më parë u deklaruan rezultat paraprake të Vig-ut. Primet e shkruara bruto arritën 8.3 miliardë euro, një rritje prej 16 për qind, krahasuar me vitin 2007. Biznesi në vendet e CEE-së u rrit me 35 për qind, krahasuar me 2007-ën. Fitimi i grupit arriti në 540 milionë euro. “Përsa i përket kompanisë sonë, vitin e kaluar Sigma pati rezultate inkurajuese, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë” tha Disha. Të ardhurat nga primet arritën mbi 14.4 milionë euro, nga 12.5 milionë euro që ishin në 2007-ën, me një rritje prej 15.2 për qind. Kjo rritje e primeve ka ardhur kryesisht nga rritja e të ardhurave nga sigurimet vullnetare, që në vitin 2008 kapin shumën prej 4 milionë euro, nga 2 milionë euro që ishin në 2007-ën. Të ardhurat nga investimet financiare u rritën rreth 2 herë. “Për të përmendur është rritja e nivelit të shërbimeve, ku pagesa e shpejtë e dëmeve përbën dhe veçorinë më dalluese të saj. Vitin e kaluar, në kompaninë e çelikut Kurum në Elbasan, e siguruar nga Sigma, ndodhi një shpërthim ku dëmtimet arrinin në 3.4 milionë dollarë. Dëmshpërblimi u bë i polit dhe i menjëhershëm nga Sigma dhe partnerët e huaj risigurues” tha ai. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Sigmës “Publiku na vlerëson dhe gjykon jo për atë çka u marrin por për atë se çfarë u japim”.

Produkti i ri

SIGMA ka zgjeruar gamën e produkteve të ofruara dhe ne po fokusohemi në ofrimin e shërbimeve në sigurime, për të gjitha llojet e risqeve, si për klientë individualë, ashtu edhe për korporatat. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të saj, një ndër produktet e reja, që do të jetë edhe sfida e këtij viti, është paketa e sigurimit shëndetësor, e cila ofron shërbim të zgjeruar shëndetësor për të gjithë klientët e saj, përfshirë trajtimin në klinikat më të mira mjekësore, kryesisht në Shqipëri e Turqi, por edhe në vende të tjera të botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›