Përjashtohen nga taksa vendore investimet e mëdha
Fabiola Çela
Qeveria ka përjashtuar nga taksat vendore investimet e mëdha. Konkretisht investitorët që do të investojnë në projekte madhore në infrastrukturë apo në energji do të paguajnë vetëm 0.1 për qind të vlerës së investimit. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar dje projektligjin e propozuar nga Ministria e Energjetikës. Por miratimi i këtij projektligji është shoqëruar me debate dhe këtë herë projektligji i qeverisë është kundërshtuar edhe nga vetë deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, i cili si kurrë ndonjëherë ka votuar kundër.
Debati
“Menduam ta ulim në 0.1 në bazë të një studimi të bërë në dy vitet e fundit, për këto fusha të përcaktuara në projektligj. Projektet kane qenë qindra milionëshe në euro”, ka deklaruar Zamir Stefani, specialist nga Ministria e Energjetikës. Por ndaj këtij propozimi të Ministrisë së Energjetikës, mbi uljen e taksës, janë shprehur kundër si deputetët e opozitës ashtu edhe deputeti i PD-së Biberaj. Sipas tij, kjo ulje e taksës do të ndikojë në uljen e të ardhurave të pushtetit vendor. “Ju e dini që ka projekte me 1 milion euro, me 5 apo 10 milionë. Pushteti lokal mezi i pret këto të ardhura. Janë pasuritë e tyre, pronat e tyre, aq më tepër po të keni parasysh që shumica janë në zona verilindore, të cilat për arsye të ditura, janë të pazhvilluara dhe pa infrastrukturë”, - theksoi në fjalën e tij Biberaj. Argumentet e dhëna prej tij janë mbështetur edhe nga deputetët e opozitës, të pranishëm gjatë debateve.
Projektligji
Në bazë të ligjit të taksave vendore, kur një investitor ndërmerr realizimin e një projekti të ri, ai duhet të paguajë për ndikimin që ky ndërtim ka në infrastrukturë. Niveli i kësaj takse është i ndarë për Bashkinë e Tiranës, 2 deri në 4 për qind të vlerës së investimit, ndërsa për bashkitë e tjera varion nga 1 deri në 3 për qind të vlerës së investimit. Por vlera e këtyre taksave është vendosur duke mos patur parasysh projektet e mëdha në infrastrukturë apo hidrocentrale etj. Vlera e këtyre projekteve është goxha e lartë, ajo llogaritet të arrijë në disa dhjetëra milionë apo deri në një miliard euro. Në këto raste, aplikimi i të tilla taksave do të kishte një impakt në koston e këtyre investimeve, duke e rritur atë. Nga ana tjetër, investitori në këto projekte paguan tërësisht koston e infrastrukturës që bëhet e papërdorshme apo që dëmtohet. Për këtë arsye, qeveria vendosi që bëjë një reduktim të kësaj takse, duke e lënë atë vetëm 0.1 për qind të vlerës së investimit. Nga ky vendim i qeverisë, pritet të përfitojë edhe kompania Bechtel-Enka, e cila po ndërton projektin më të madh të infrastrukturës në vend, vlera monetare e së cilit është goxha e lartë. Në sajë të këtij vendimi të qeverisë, kjo kompani do të paguajë më pak para për taksën e ndikimit në infrastrukturë.