Olldashi kundër Bankës Botërore
Ministri Olldashi ka reaguar dje për debatet e ngritura mbi projektin e menaxhimit të integruar të bregdetit të jugut. Sipas tij, ndërtimet e prishura në Jal kanë qenë pa leje, për këtë arsye Policia Ndërtimore ndërmori aksion për shembjen e tyre. Madje gjatë deklaratës së tij, ai nuk kurseu as akuzat ndaj kryebashkiakut Rama, si dhe hodhi poshtë raportin e Bankës Botërore. “Do doja të sqaroja që në themel të gjithë këtij sulmi ndaj Projektit të Jugut qëndron prishja e synimeve të grupeve ndërtimore mafioze pranë Kryetarit të Bashkisë Edi Rama, për të uzurpuar toka në Jon, siç bënë me Golemin. Fatkeqësisht, një ndër trillimet e raportit të kësaj zyre brenda Bankës, është paraqitja e njollave klienteliste ndërtimore të ndërtuesve dhe botuesve të afërm me zotin Rama, si Plani i Jugut” ka thënë ai. Sipas tij, prishjet e ndërtimeve janë ekskluzivisht vendime të Policisë Ndërtimore (sot Inspektorati i Ndërtimit) dhe kanë qenë krejtësisht në përputhje me ligjin. Ka pasur me qindra prishje të ndërtimeve të paligjshme në bregdet, qysh prej vitit 2000. Të dhëna nga Inspektorati i Ndërtimit, që tregojnë se në 2006 ka pasur 110 prishje të ndërtimeve të paligjshme në zonën Llogara-Butrint, dhe 97 prishje të ndërtimeve të paligjshme në 2007. Shumë prej prishjeve të kryera në 2007, datojnë me vendim-prishje qysh në 2006. Në mënyrë të ngjashme, po në 2007 ka pasur 112 prishje të ndërtimeve të paligjshme në Velipojë, 34 ndërtime të paligjshme në Golem, etj.