E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurim i detyrueshëm edhe për udhëtarët e autobusit

 

Çdo pasagjer, në rast fatkeqësish në udhëtimet e tyre, do të dëmshpërblehet nga agjencitë e sigurimit. Një kusht i tillë është vendosur në projektligjin e ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Ky projektligj ka nisur të shqyrtohet në Komisionet Parlamentare. Në këtë projektligj është parashikuar sigurimi i detyruar edhe për personat e tretë që udhëtojnë me autobus, me tren, me avion. Konkretisht, sipas projektligjit të ri të qeverisë, pasagjerët në rast fatkeqësish në udhëtimet e tyre do të dëmshpërblehet nga agjencitë e sigurimit. Qeveria me projektligjin e ri ka parashikuar sanksione të reja për sigurimin e udhëtarëve, që duhet të realizohet dhe nga ana e pronarëve të përdoruesit të mjeteve motorike. Pronarët e mjeteve të transportit publik të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik. Minimumi i shumës së siguruar, si detyrim i një shoqërie në kontratën e sigurimit, është 2 milionë lekë. Kjo përfshihet për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit në rast vdekjeje. Ndërsa minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer në rast të paaftësisë së përhershme, është 4 milionë lekë. Në projektligj janë përcaktuar pagesat minimale të sigurimeve për dëmet që shkaktohen nga aksidentet me pasojë vdekjen. Kufiri minimal është 50 milionë lekë. Për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme, sigurimi shkon deri në 200 milionë lekë. Për dëme të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës nga një ngjarje për autobusët dhe kamionët, përfshirë rimorkiot, shoqëria e sigurimit duhet të paguajë 15 milionë lekë, ndërsa për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme shuma që duhet të paguajë shoqëria e sigurimit shkon në 20 milionë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›