E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Luanit, emigrantit që edhe Kisha ia mbylli derën

 

Marko Caka / Athinë

Kjo është një histori, e cila mund të përfaqësojë shumë emigrantë shqiptarë në Greqi. Eshtë vetëm një pjesë e diskriminimit që i bëhet shqiptarëve atje, nga të gjitha institucionet. Në fakt, historia e Luan Rukës i ka të gjitha hallkat institucionale të keqtrajtimit për shkak të kombësisë dhe fesë. Me profesionin e elektricistit, profesion që e kishte ushtruar që në Shqipëri, për dy vjet rresht, Luani punoi në një firmë ndërtimi që kryente instalime elektrike në Greqi. Mëngjesi i 6 shtatorit të vitit 1999 do të shënojë edhe kthimin tragjik të fatit të jetës së tij dhe ditën e fundit të punës. Ndërsa ishte ngjitur në tavanin e ndërtesës së Bankës Bujqësore Greke, në periferinë e Kifisias, për të vendosur kabllot elektrike në vendet e duhura, Luani humbet ekuilibrin dhe bie nga një lartësi prej 8 metrash. Mungesa e marrjes së masave të sigurimit teknik në punë nga ana e drejtuesve të firmës, ka qenë shkaku kryesor i aksidentit të emigrantit shqiptar. Data 6 shtator, ndër të tjera, shënon edhe kalvarin e jetës së vështirë të emigrantit shqiptar nga Delvina. Luani dërgohet menjëherë në spitalin “KAT” të Athinës, ku i nënshtrohet një operacioni në shtyllën kurrizore. Mjekët e këtij spitali konstatojnë se trupi i Luanit nuk është më i aftë për punë. Ai paralizohet. Në bazë të ligjeve, firma ku ai punonte duhet të dëmshpërblente Luanin për aksidentin. Por këtu fillon edhe pjesa e dytë e tragjedisë. Pronarët e firmës së tij fillojnë të manovrojnë me fatin tragjik të shqiptarit. Ai nuk ishte i siguruar në librezën e punës që dispononte. Pronarët grekë mashtrojnë në të gjitha organizmat përkatëse, ku Luani duhej të merrte përkrahjen sociale dhe më kryesorja, të gjithë dëmshpërblimin e tij. Sipas dëshmive që Luani dha për gazetën, punëdhënësi së bashku me inxhinierin elektrik të firmës, arrijnë të falsifikojnë dokumentet gjatë shtrimit të tij në spital, duke ndryshuar datën dhe orarin e mbërritjes, në mënyrë që aksidenti i kryer në punë të justifikohet si një aksident i rastit. Në të njëjtën kohë, dy të sipërpërmendurit shfaqen dhe në sallën e urgjencës, ku ishte shtruar Luani. Ata i paraqesin një dokument, në të cilin Luani duhet të hidhte firmën. Ata e mashtrojnë duke i thënë se bëhej fjalë për të firmosur një kontratë, që vërtetonte se punonte pranë kësaj firme vetëm dy vitet e fundit. Mirëpo, e vërteta ishte krejtësisht ndryshe. Në dokument shkruhej se, Luani kishte punuar vetëm një muaj dhe jo dy vjet. Kushtet pas aksidentit, besimi nga mosnjohja e gjuhës, bënë që Luani të firmosë dokumentin. Dokumentin e firmosur, menjëherë punëdhënësit e tij e dërgojnë në zyrën e sigurimeve shoqërore (IKA). Për një muaj punë që kishte bërë, sipas dokumentit, ata e paguajnë me një shumë qesharake prej vetëm 400 euro. Atëherë, emigranti shqiptar duke parë tradhtinë e pronarëve të tij, detyrohet të përdorë të vetmen “armë”, atë të rrugës ligjore. Peripecitë e Luanit do të vazhdojnë dhe me avokatët e tij. Ata që do të mbronin të drejtat e shqiptarit emigrant. Mes tyre dhe drejtuesve të firmës nis bashkëpunimi, i cili bën që proceset gjyqësore, përveçse të shtyhen, edhe të mos fitohen. Sipas Luanit ky fakt tregon se të drejtat e punëtorëve goditen nga forcat korruptive, të cilat bashkëpunojnë me organet e drejtësisë. E gjithë kjo ndodhi, sepse në sallën e gjyqit Luani nuk kishte asnjë përkthyes. Dëshmi e qartë për bashkëpunimin e palëve dhe interesave në dëm të emigrantëve shqiptarë. Pikërisht për të tilla raste fenomenale në dëm të emigrantëve shqiptarë, është shprehur edhe ambasadori shqiptar në Athinë, Vili Minarolli. Në një kohë që ambasadat shqiptare e kanë fryrë personelin me atashe të ndryshme, që në realitetin e sotëm janë të panevojshëm, dhe për emigrantët që kanë dy dekada në shtetin helen, duhej të kishin të paktën një atashe juridik që të jetë në ndihmë të mbrojtjes së të drejtave të tyre ligjore. Megjithëse ky problem ka kohë që diskutohet, përsëri shteti shqiptar që paguhet nga djersa e emigrantëve nuk ka bërë asgjë për t’i mbrojtur juridikisht shtetasit e tij. Vetë Luani tregon se “dëmshpërblimi për goditje shpirtërore pas aksidentit, llogaritej në shumën 24 mijë euro. Një shumë joshëse kjo për të hedhur dyshime të një marrëveshjeje të fshehtë ndërmjet avokates Eleni Zepo, me drejtuesit e firmës, ku unë punova për dy vjet”. Jashtë gjithë këtyre kontureve gjyqësore dhe tepër burokratike, jeta për Luan Rukën bëhet akoma më e vështirë. Aktualisht, ai jeton në katin përdhes të një pallati në rrugën “Portarias” të Athinës, së bashku me nënën dhe vëllanë e tij, i cili është me gruan dhe djalin e vogël. E gjithë familja mbahet nga krahët e vëllait të vogël, i cili është i detyruar të punojë me orë të tejzgjatura në ndërtim, vetëm për të mbajtur gjallë frymën e 5 vetave. Lutjet e Luanit për të siguruar para për aksidentin e ndodhur i janë drejtuar edhe fondacioneve të ndryshme dhe Gjykatës Europiane. Për të gjithë, kërkesa ka qenë e njëjtë: ndihma ekonomike. Por deri tani, askush nuk ka bërë asgjë. Madje, ai i është drejtuar edhe Kishës së lagjes ku ai banon. Por këtu, ndihma kishte vetëm një çmim absurd, se nuk duhej të ishte i besimit mysliman. Ndërkohë, që gjendja e Luan Rukës është me të vërtetë prekëse dhe dita-ditës lufton me vështirësitë e jetës, shteti vazhdon të tregohet i ligë ndaj gjendjes së qindra emigrantëve të tjerë që kanë po të njëjtin fat me shqiptarin e paralizuar nga Delvina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›