Kompania e kromit 20 milionë USD për minierën
BULQIZE - Kompania Albanian Chrome ACR, e cila menaxhon minierën e Bulqizës, rezerva më e madhe e kromit në vend, ka nisur prej fillimit të muajit shtator punimet për thellimin e pusit 7. Drejtori i minierës, Petrit Duva, thotë për gazetën “Panorama” se Albanian Chrome ka nënshkruar kontratat e zbatimit për punimet që do të thellojnë pusin nr.7, duke nisur nga niveli i 9-të. Ky investim në total arrin mbi 20 milionë dollarë. “Ne kemi nënshkruar një kontratë zbatimi me kompaninë Shit-Stroy, një operator lider nga Rusia. Shpimet që po realizohen me pajisje tepër të avancuara teknologjike, do të na japin mundësinë t’ia zgjasim jetën minierës me të paktën 20 vite”, thotë Duva. Prej dy vitesh, Albanian Chrome ACR zbaton në Shqipëri një kontratë koncensionare, e cila përfshin rezervën më të pasur në vend të kromit në Bulqizë, dy uzina ferrokromi në Elbasan dhe Burrel, një fabrikë pasurimi në Klos dhe disa njësi të tjera industriale. “Punimet për thellimin e pusit nr.7 do të zgjasin afro 4 vjet, por ne kemi besim se qysh brenda vitit të dytë do të jemi dëshmitarë të përmirësimeve të treguesve gjeologjikë dhe atyre të prodhimit”, shpjegon drejtori i minierës së Bulqizës, ku aktualisht prodhohen 6.500 tonë në muaj koncentrat kromi i një cilësie të lartë. Investimi pritet të rrisë prodhimin në 150 mijë tonë në vit (rreth 12.500 tonë) në muaj. Duva është i bindur se ky investim do t’i vlejë më se 860 punëtorëve që punojnë në minierë dhe krejt qytetit të Bulqizës, i cili ndodhet sot në një gjendje të mjeruar sociale, me papunësi zyrtare në 40%. Kjo shtyn shumë njerëz të gërmojnë privatisht në mbeturinat e gurëve sterilë, të mbetur pas nga aktiviteti minerar dhe të përpiqen t’ua shesin atë tregtarëve “piratë”, që në shumë raste janë edhe kompani të licencuara për shfrytëzim minerar. Kompania ka investuar tashmë në disa nisma të përgjegjësisë sociale në qytetin e Bulqizës, duke përfshirë rinovimin e pavijonit të urgjencës në spitalin e qytetit. Autoritetet lokale thonë se presin më tepër nga Albanian Chrome, kur situata në tregjet botërore të përmirësohet dhe çmimi i kromit të rritet. h.p