Zaptohet Pylli i Sodës, masakër natën pishave
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Zaptohet zona e Pyllit të Sodës deri në afërsi të Petroliferës. Fenomeni denoncohet nga Drejtoria Pyjore, e cila i bën apel Policisë e Prokurorisë të nisin hetimet. Prej disa ditësh persona të paidentifikuar kanë zaptuar sipërfaqe të tëra pishash, duke i lyer ato me bojë të ngjyrave të ndryshme, sipas zonave dhe personave që i kanë “privatizuar” ato. Disa prej tyre kanë shkruar në pisha apo në tabela “është e zënë”, madje në to kanë lënë dhe numra telefoni. Por nuk mbetet me kaq. Njëri prej “pronarëve”, mbasi ka shënuar pishat me bojë të kuqe, ka prerë 30 prej tyre me sharrë, duke i lënë më pas në vend. Po në këtë zonë kanë filluar të ndërtohen lokale me blloqe dhe dërrasa duke dëmtuar rëndë pishat. Nga ana tjetër, tonazhet e rënda vazhdojnë të hedhin inerte dhe industriale në të gjithë zonën pyjore, duke shkatërruar gjithçka. Shefi i policisë pyjore, Xhorxhi Hoxharaj u shpreh se fenomeni i zaptimit të pyllit, prerjes së pishave dhe hedhjes së mbeturinave në të gjithë zonën e Pyllit të Sodës, është bërë shqetësim tepër i madh. Natën po priten pishat, ndërsa dyshohet se kjo bëhet me qëllim që në vendin e tyre të ndërtohen lokale. “Ne si drejtori dhe si polici pyjore jemi në kuadrin e konstatimit, mbajtjes së procesverbale, dhe dhënien për ndjekje penale në prokurori të rasteve apo individëve. Policia pyjore nuk mund të ndalojë këtë fenomen sepse gjithçka bëhet natën”, u shpreh Hoxharaj. E gjithë zona, duke përfshirë Vlorën, Llogaranë, Pishporo, Kaninë dhe Pylli i Sodës, kontrollohet vetëm nga një inspektor policie. Mungesa e mjeteve dhe e forcave ka bërë që të mos kapen personat në momentin e kryerjes së krimit pyjor. Edhe kur ka raste të kapjes në flagrancë, inspektori fyhet dhe kërcënohet. “Një masakër e tillë ka nisur edhe në parkun kombëtar të Llogorasë”, shprehet Hoxharaj. Kohët e fundit kanë filluar të ndërtohen dy lokale, si dhe janë kryer disa sheshime apo hapur disa rrugë, duke ndërhyrë në parkun kombëtar pa asnjë leje ndërtimi. Të gjitha rastet, policia pyjore ia ka kaluar Prokurorisë së Vlorës për hetime, madje disa edhe me autorë konkretë. Por deri tani nuk është vënë askush para përgjegjësisë. Për parandalimin e këtyre fenomeneve duhet bashkëpunim midis institucioneve lokale të zonave, të policisë dhe prokurorisë, bashkëpunim që deri më tani ka munguar. Policia pyjore nuk është mbështetur prej tyre, për t’i dhënë zgjidhje masakrës që po ndodh në pyje.