E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Drejtorin për vendet e Ballkanit Perëndimor të BERZH Claudio Viezzoli

Kryeministri Berisha priti sot në takim Drejtorin për vendet e Ballkanit Perëndimor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Zotin Claudio Viezzoli.

Kryeministri Berisha falenderoi Zotin Viezzoli për mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në financimin e projekteve, në sektore me rëndësi për ekonominë shqiptare, të shtrira kryesisht në sektorin e transporteve dhe atë të energjisë si:

· Projekti i rehabilitimit të rrugës Fier – Tepelenë;

· Projekti i zhvillimit të rrugëve bashkiake;

· Projekti i rrugës Levan – Vlorë;

· Projekti i rrugëve rajonale dhe lokale;

· Projekti i nënstancioneve të transmetimit të energjisë;

· Projekti i TEC-it të Vlorës;

· Projekti i Portit të Durrësit.

Kryeministri Berisha i bëri të njohur Zotit Viezzoli angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare, për zgjidhjen e fillimin të realizimit të projektit të unazës së Tiranës, duke e vlerësuar si një nga projektet shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe të kryeqytetit, por edhe si një projekt në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Zoti Caludio Viezzoli vlerësoi progresin pozitiv të bashkëpunimit me qeverinë shqiptare dhe e informoi për zgjerimin e këtij bashkëpunimi me financimin e projektit për studimin e fizibilitetit të projektit të hekurudhës Tiranë – Durrës, i cili do të përfshijë edhe aeroportin e Tiranës. Kryeministri Berisha e falenderoi për këtë vendim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe i kërkoi Zotit Viezzoli mundësinë e zgjerimit të këtij studimi, në mënyrë që të përfshijë dhe zonën e Golemit.


09/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›