Ruçi sfidon sërish: Na jepni vetëm listat e zgjedhësve
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi dje se zgjidhja për krizën politike duket larg. I ftuar në emisionin “Ora e debatit” të gazetarit Alfred Peza, Ruçi tha se “i kam kërkuar mazhorancës dhe lidershipit të saj që BE-ja vjen në Shqipëri për ta marrë në provim dhe ne po u themi atyre se ju vazhdoni të merreni me ne, por ne nuk vazhdojmë të merremi me veten”. Sipas tij, deklarata e fundit, bërë nga drejtori për zgjerimin Pierr Mirel, përmban mesazhin se nëse opozita hodhi hapin e saj, ai konsensus që kërkohet deri në 18 mars duket shumë larg. “Janë bërë deri më tani disa seanca në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe ende nuk duket dritë në fund të tunelit. Shpresa është ajo që vdes e fundit dhe le të shpresojmë, pasi ditën e hënë sërish Komisioni i Ligjeve ka diskutime. Nuk dua ta paragjykoj dhe le të shpresojmë se mazhoranca do të gjejë konsensusin me opozitën”, nënvizoi Ruçi.
Referuar çështjes së kartave të identitetit, ai tha se “kushdo që do të ishte komisioner i PS-së apo PD-së do ta lejonte një votues me ato kartat e falsifikuara, pasi nuk do dallonte asgjë”. I pyetur pse nuk shkoi në prokurori të denonconte kartat e falsifikuara Ruçi tha se “pse duhet të shkoj në prokurori. Ne po kërkojmë komision hetimor dhe rezultatet e tij do t’i paraqiten prokurorisë”. Unë, vijoi ai, sfidoj sërish mazhorancën duke i thënë: “Më jep vetëm listat e zgjedhësve që ndodhen në kutitë e materialeve zgjedhore dhe nëse nuk vërtetohet kauza jonë për manipulimin e zgjedhjeve ne nuk duam që të hapen kutitë e votimit”. Ruçi deklaroi se kjo është një deklaratë në emrin e Partisë Socialiste dhe jo qëndrim personal i tiji. Kreu i deputetëve socialistë tha se kutia e Ruzhdies është numëruar nga KZAZ-të përkatëse, nga KQZ-ja që ka njohur rezultatin dhe me gjithë votat e vlefshme mandati i takonte Partisë Socialiste dhe jo Partisë Demokratike.
Ruçi këmbënguli se është e njëjta sfidë që po i bëhet mazhorancës, si në rastin kur u deklarua prej tij se nëse hapet vetëm kutia e Ruzhdies dhe nuk provohen manipulimet tërhiqet nga kauza e kutitë dhe mandati i tij. “Do të shkoj në prokurori, por përmes një komisioni hetimor parlamentar dhe raportit që do të bëjë ai për zgjedhjet. Dua të bëj hetim që të shkoj te prokuroria, me qëllim që kushdo gjeneral apo ushtarak që ka manipuluar zgjedhjet të përgjigjet para ligjit”, theksoi Ruçi. Ka një dorë, vijoi ai, që ka përgatitur falsifikimin e kartave dhe këtë duhet ta hetojnë deputetët e më pas prokuroria dhe gjykatat të vënë pikën mbi “i”. “Masakrimi i zgjedhjeve nuk është faji i komisionerëve, por faji im nëse unë e udhëzoj apo i vë mjete të tilla si kartat false me këtë qëllim”, nënvizoi Ruçi. Ky, vijoi ai, është një fenomen i njëjtë me vitin 1996, por ndryshe nga atëherë tani u bë me kompjuter. “Nuk heqim dorë nga hapja e kutive, vijoi ai, pasi heqja dorë prej hapjes së kutive është të ligjërosh vjedhjet”. Ruçi sqaroi se Gjykata Kushtetuese është shprehur qartësisht për çështjen e hetimit parlamentar. Ndërkohë, vijoi ai, Komisioni i Venecias e ka bërë një herë dhënien e mendimit sa i takon objektit të komisioneve hetimore”.
#