Papunësia më e lartë në Eurozonë që prej 1998-ës
Si pasojë e krizës ekonomike, numri i të papunëve në zonën e monedhës euro ka arritur nivelin më të lartë që prej 11 vitesh. Siç bëri të ditur enti i statistikave Eurostat, në nëntor përqindja e papunësisë pa ndikimin sezonal, u rrit në 10%. Në këtë nivel papunësia ka qenë për herë të fundit në gusht të 1998-s.
Gjithsej në 16 vendet e hapësirës së euros pati 15,7 milionë burra dhe gra të papunë, tre milionë më shumë sesa një vit më parë. Sipas Eurostat-it, pozitivisht u zhvillua prodhimi ekonomik.
Duke u mbështetur prej rritjes së eksporteve dhe të rezervave në magazina ai u rrit në tremujorin e tretë me 0,4%. Në këtë mënyrë mori fund recesioni më i rëndë që prej themelimit të Eurozonës, u tha më tej.