Kompensim të varfërve për dritat, ERE: S’ka pakt me CEZ për çmimin
Kryeministri Sali Berisha tha dje se shtresat në nevojë do të kompensohen për rritjen e çmimit të energjisë. Duke folur në mbledhjen e qeverisë kreu i ekzekutivit tha se: “është pothuaj dyfishim, çka nxjerr para nesh këto detyra: Së pari, mbrojtjen e plotë dhe totale të pasojave të rritjes tek të gjithë personat në ndihmë ekonomike, pensione të ulëta sipas kritereve të përcaktuara”. Njëkohësisht, ai kërkoi nga të gjitha institucionet shtetërore që të mos përdorin me llambat inkandeshente, por ato të thjeshta, të cilat harxhojnë edhe më pak energji. Berisha ngarkoi sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, që në bashkëpunim me sekretarët e përgjithshëm të të gjitha institucioneve të zbatojnë urdhrin për zëvendësimin e llambave dhe kursimin e energjisë elektrike. Ndërkohë, kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta tha në një prononcim për mediat se nuk ka marrëveshje me kompaninë çeke CEZ që ka privatizuar OSSH-në për rritjen e çmimit të energjisë me 15% çdo vit. “Nuk ka asnjë deklaratë të nënshkruar, nuk ka asnjë kontratë të nënshkruar, nuk ka asnjë marrëveshje të nënshkruar për të rritur çmimin deri në vitin 2014 sipas një sasie të caktuar që është thënë 15%. Mbi rritjet, uljet ose vlerën e çmimit të energjisë elektrike e ka ekskluzivitetin vetëm Enti Rregullator”, tha Nepravishta. Sipas tij: “Në rast se çmimi del më i lartë se 15 për qind atëherë ERE mund të kërkojë CEZ-it që të mos rritet shumë ky çmim, por të kalojë dhe vitin tjetër. Në rast se del më i vogël nuk ka asnjë detyrim dhe në vitet që pasojnë deklarata rregullatore nuk ka asnjë angazhim të ERE për të rritur çmimin. Nuk mund të ndodhte që ne të vendosnim çmim 13% dhe pa asnjë pasojë kompensimi për vitet e tjera sepse kjo do të ishte në kontradiktë me atë koncept, që është interpretuar në media apo nga drejtori i përgjithshëm i CEZ”.