E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet shpërblimi, pagat në janar

 adi shkembiQeveria zyrtarizon shpërblimin për punonjësit e administratës dhe pensionistët me rastin e festave të fundvitit. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë, Sali Berisha, bëri të ditur se praktika e viteve të kaluara që rroga e janarit është marrë në ditët e fundit të dhjetorit, këtë vit nuk do të aplikohet. Një ditë pas takimit mes kryeministrit Berisha dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe ISSH-së, bëhet e ditur masa e shpërblimit për rreth 89 mijë punonjës buxhetorë dhe rreth 540 mijë pensionistë. PensionistëtNë mbledhjen e djeshme të Qeverisë, me propozim të ministrit të Financave, Ridvan Bode, u miratua vendimi “për dhënie asistence ekonomike të menjëhershme personave, që përfitojnë pension”. Sipas këtij akti ligjor, të gjitha kategoritë e pensionistëve do të përfitojnë nga 2,500 lekë të reja shpërblim, i cili do të jepet brenda 31 dhjetorit. Efektet financiare të këtij vendimi, llogariten rreth 1.4 miliard lekë te reja, të cilat do të dalin 900 milionë lekë nga buxheti i shtetit për vitin 2009 dhe 500 milionë nga fondet e ISSH-së. Vendimi parashikon gjithashtu se fondi prej 900 milionë lekësh i buxhetit, do të dalë nga fondi rezervë 115 milionë lekë, fondet e planifikuara për pagesat e interesave të huaja 300 milionë lekë dhe 485 milionë lekë do të merren nga fondet e planifikuara më parë për pagesat e mbështetjes sociale për ushtarakët dhe forcat e luftimit. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur shpërblimi për pensionistët ka qenë 5 mijë lekë të reja, këtë vit është përgjysmuar. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Berisha e justifikoi këtë vendim me vështirësitë e krijuara nga kriza ekonomike, por edhe nga fakti që për shkak të zgjedhjeve të 28 qershorit rritja e rrogave dhe pensioneve në 2009 u bë në muajin maj dhe jo në 1 korrik, kur është bërë çdo vit. “Mund të theksoj këtu se janë jo të pakta vendet që nuk shpërndajnë dhe janë disa vende të tjera, të cilat po shpërndajnë për pensionistët gjithsej 12 euro dhe këtë jo në dhjetor, por në janar. Kurse ne këtë shumë prej 25 mijë lekë do ta shpërndajmë brenda këtyre ditëve. Do t’i kërkohet Institutit të Sigurimeve Shoqërore të bashkëpunojë me Postën dhe t’ua bëjë menjëherë disponibël këtë shumë prej 15 milionë dollarësh, që duhet për të shpërblyer çdo pensionist në masën 25 mijë lekë”, u shpreh Berisha.BuxhetorëtNë mbledhjen e Qeverisë kreu i ekzekutivit bëri të ditur, ndonëse në mënyrë jodirekte, se praktika e viteve të kaluara kur rroga e dhjetorit është marrë në ditët e fundit të vitit, këtë herë nuk do të zbatohet. Sipas Berishës, administrata do të zbatojë afatet ligjor, duke nënkuptuar pikërisht faktit që nëse në një institucion rrogat merren në fillim të muajit, e njëjta gjë do bëhet edhe këtë muaj. “Qeveria nuk ka bllokuar asnjë pagë, por qeveria ka pranuar të respektohen afatet ligjore në dhënien e pagave. Kështu që nuk ka asnjë punonjës që nuk e ka marrë pagën”, theksoi Berisha. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë tha se punonjësit e administratës do të marrin një shpërblim nga 10 deri në 15 mijë lekë të reja. Mësohet se rreth 12 mijë punonjës të administratës që kanë pagën deri në 26 mijë lekë në muaj, do të përfitojnë shpërblimin maksimal, ndërsa pjesa tjetër me pagë mbi 26 mijë lekë, do të marrë nga 10 mijë lekë. “Ministria e Financave ia kanë dalë gjithashtu të garantojnë shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 15 mijë lekë dhe për rrogat e tjera do të jetë 10 mijë lekë. Edhe ky do të shpërndahet në harkun kohor të ditëve që vijnë. Nuk shtyhet për në janar”, u shpreh Berisha.Kategoritë e pensionistëve që përfitojnëa. Personat, që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe  nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;b. Personat, që marrin pension, sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.c. Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që trajtohen me shpërblim mujor, sipas ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”, personave, që marrin pension për merita të veçanta, sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe personave, që marrin pension të posaçëm shtetëror, kur nuk përfitojnë, sipas përcaktimit të shkronjave “a” e “b”, të pikës 1,  të këtij vendimi.ç. Personat, që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë  22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, si dhe personave, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar.d. Personat, që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror, suplementar, të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›