Topalli, shpërblime deri një pagë
BLEDAR HOTIKuvendi i Shqipërisë shpërndan shpërblimet e punonjësve të administratës së vet, sipas ligjit të nëpunësit civil dhe jo mbi bazën e vendimit më të fundit të qeverisë “Berisha”. Nga burime zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë mësohet se masa e shpërblimit të punonjësve të administratës është realizuar mbi bazën e ligjit “Për statusin e nëpunësit civil”, sipas kriterit të vlerësimit vjetor të punës së kryer. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, në një prononcim për gazetën “Panorama” tha se “për ndarjen e fondit të shpërblimeve për punonjësit është përdorur kriter i vlerësimit, duke i ndarë sipas kategorive, ku jo të gjithë punonjësit përfitojnë shumë të njëjtë. “Ka një vendim të Këshillit të Ministrave, që është “Statusi i Nëpunësit Civil”, ku përcaktohen kriteret e vlerësimit për punën që kanë bërë mbi bazën e shkallës 1,2,3,4. Në të është përcaktuar edhe niveli i masës së shpërblimit të punonjësve”, tha Myftiu. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, për shpërblimin e punonjësve do të përdoret fondi i posaçëm që ky institucion ka në dispozicion, duke hedhur poshtë zërat se është prekur fondi i pagave të deputetëve. “Ne si institucion kemi dy lloj fondesh. Kemi një 5% të fondit total, të zërit të buxhetit si i veçantë, i cili përdoret për shpërblimin e punonjësve. Për sa i përket zërave se është përdorur fondi i pagave të deputetëve të opozitës, nuk është aspak i vërtetë”, thekson Myftiu. Burime pranë Kuvendit bëjnë të ditur se është realizuar vlerësimi për çdo punonjës administrate edhe se është përcaktuar dhe fondi që i takon. Ndërsa mësohet se në llogaritë bankare të punonjësve është kaluar tashmë shpërblimi në masën e 10 mijë lekëve. Mbi bazën e ligjit “Për Statusin e Nëpunësit Civil”, punonjësi që vlerësohet me kriterin 1 përfiton një pagë shpërblim në fund të vitit, ndërsa ai që vlerësohet me kriterin 2, përfiton gjysmë page shpërblim. Ata punonjës që vlerësohen me kriterin 3 përfitojnë 30% të pagës.