Rukja i zë vendin mbretit Zog, irritohen legalistët
Legalistët kanë vendosur të mos e politizojnë vendosjen e shtatores së mbretit Zog. Burime të sigurta nga dega lokale e PLL-së sqarojnë se dy ditë më parë është rënë dakord që shtatorja të mos vendoset aty ky është miratuar nga Këshilli Bashkiak, deri në përfundim të zgjedhjeve parlamentare. Nuk thuhet me saktësi se ky vendim është marrë në konsultim me trashëgimtarët e familjes mbretërore apo nga legalistët në bazë. Ndërkohë, të njëjtat burime i japin ngjyrime politike kur thonë se Kryeministri Berisha ka kërkuar shtyrjen e montimit të shtatores deri pas 28 qershorit, duke premtuar se ai do të jetë prezent në inaugurimin e saj. Por, ndërsa është pranuar nga legalistët e qytetit, ata të komunës Lis e shohin si një “kurth” të PD-së ndaj tyre, për faktin e mbështetjes që ka PLL në qarkun e Dibrës, veçanërisht në Mat. Ata thonë se politike është shtyrja e vendosjes, jo vendosja tani e shtatores. Nga ana e tyre, drejtues lokalë shprehen se nuk duhej të ndërtohej bazamenti dhe lënë në qendër të qytetit si një gjë e shëmtuar, por aty duhej vendosur shtatorja e punuar që në janar të këtij viti e mbretit Ahmet Zogu. “Kodra” në qendër të qytetit të Burrelit është kthyer aktualisht në gërmadhë, duke lënë një shije të hidhur për qytetarët e Burrelit dhe vizitorët e këtij qyteti. Këtë rast e kanë shfrytëzuar më së miri të rinjtë e qytetit, për të bërë ironi me vendin e mbetur bosh, në sheshin “Demokracia”. Mbi bazamentin e lartë aty qëndron një prej personazheve të njohur të qytetit, Rukja. Djemtë e qytetit kanë ironizuar vendosjen e shtatores duke hipur mbi bazament Ruken. Të rinjtë kanë shkrepur aparatet fotografike dhe celularët, dhe foton e Rukes mbi bazament janë përpjekur ta shpërndajnë te njerëzit e tyre. Ky veprim është pritur keq nga legalistët, të cilët kanë akuzuar autorët e këtij ironizimi si antimbretëror.