E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi nis debatin me ligjin për "Spiunët

Fillimi i javës do përkojë me mbledhjen e komisioneve parlamentare. Seanca e parë plenare më 8 Shtator

TIRANË- “Spiunët”, është çështja e parë me të cilën do të merren sot anëtarët e Komisionit të Ligjeve në sesionin e ri parlamentar. Pas një ndërprerjeje njëmujore të aktivitetit parlamentar, Kuvendi pritet të rinisë veprimtarinë e tij legjislative, me një axhendë të ngjeshur. Ashtu siç ka vendosur edhe konferenca e kryetarëve, fillimisht puna do të fillojë me komisionet parlamentare, ndërkohë që seanca e parë plenare për këtë sesion do të mbahet më 8 shtator. Komisioni parlamentar i Ligjeve do të rimarrë sot në shqyrtim p/ligjin "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë" ose i njohur ndryshe si drafti për spiunët. Ligji në fjale u shoqërua me debate të ashpra mes dy forcave kryesore politike në vend në fund të sesionit të kaluar parlamentar. Pikërisht në momentin kur grupi parlamentar i PD-së paralajmëroi se do ta kalonte draftin me votat e saj, OSBE përmes një deklarate zyrtare la të kuptojë qartë se drafti për spiunët duhet të kalonte me konsensus të plotë. Gjë që në fakt, pak mund të merret parasysh, pasi siç paralajmëroi edhe kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, në rast se ky draft nuk do të marrë konsensusin e Partisë Socialiste, atëherë mazhoranca do ta miratojë me votat e saj, pasi ky ligj nuk mund të arkivohet. Deri më tani, dy janë çështjet kryesore për të cilat mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord. Së pari, Partia Socialiste kundërshton verifikimin e figurës së "personave që i janë nënshtruar njëherë këtij procesi, përmes ligjeve të mëparshme". Ndërkohë, që për demokratët "në rast se një person është verifikuar dhe ka dalë "i pastër", ai nuk ka përse të mos kontrollohet përsëri". Ndërsa çështja e dytë, për të cilën palët nuk bien dakord, lidhet me faktin nëse duhet të ndërpritet ose jo mandati i personave zyrtarë që rezultojnë të implikuar, pas hapjes së dosjeve. Projektligji "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë shtetërore", u paraqit fillimisht në Komisionin e Ligjeve në tre variante të ndryshme, propozime të tre grupeve parlamentare PD, PS dhe PDK. Më pas Partia Demokratike solli një draft të dytë për spiunët, duke i kërkuar PS-së që të punohet pikërisht mbi këtë draft.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›