E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, më 20 gusht dërgon në qeveri listën me emrat e pronarëve



Lista me emrat e pronarëve që do të përfitojnë kompensim nga qeveria për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje do të dërgohet në qeveri më datën 20 gusht. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale, Shaban Memia, ka bërë të ditur se afati i dorëzimit të listave në qeveri është shtyrë për shkak të rikthimit në Kuvend të ligjit të legalizimeve nga presidenti Topi. Sipas Memisë, në ligj është parashikuar që lista me emrat e pronarëve që përfitojnë kompensim të dërgohej në qeveri në datën 1 gusht, por sipas tij rikthimi në Kuvend i ligjit solli vonesa në futjen e tij në fuqi. Memia bën të ditur se ligji i ri i legalizimeve ka hyrë në fuqi në datën 20 korrik dhe në bazë të tij, një muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, Agjencia e Legalizimeve duhet të dorëzojë listën me emrat e pronarëve. “Lista me emrat e pronarëve nuk do të dërgohet në datën 1 gusht në qeveri, pasi ka një shtyrje të afatit për shkak të mosdekretimit të ligjit nga presidenti, i cili e riktheu sërish në Kuvend për rishqyrtim. Në bazë të ligjit, Agjencia duhet të dërgojë listën e pronarëve për miratim në qeveri një muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligj. Ligji ka hyrë në fuqi në datën 20 korrik, kështu që dhe ne do ta dorëzojmë listën në datën 20 gusht”, - ka sqaruar drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia. Sipas Memisë, Agjencia e Legalizimeve ka punuar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe aktualisht ka gati listën me emrat e pronarëve që do të përfitojnë kompensim nga qeveria për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje. Ai bën të ditur se është punuar në qindra zona të territorit të Shqipërisë për të arritur në këtë listë. Në bazë të ligjit të legalizimeve, ALUIZNI, në bashkëpunim me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, identifikon rastet kur parcela ndërtimore, në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme në pronësi të të tretëve. Më tej, ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave, për vendimmarrje, materialin me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë, nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë për dërgimin e kësaj liste është data 20 Gusht 2008. Hapi tjetër, i Agjencisë së legalizimeve pas plotësimit të dokumentacionit, është miratimi i legalizimit të ndërtimit informal dhe lëshimi i lejes së legalizimit. Pronarët do të kompensohen me vlerën e tregut të përcaktuar nga harta e pronave, për truallin e zënë. Por, gjithashtu, pronarët mund të kompensohen dhe me truall tjetër, në zonat bregdetare ose në zona të tjera që janë pjesë e fondit të lirë të tokave.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›