E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria premton eliminimin e varfërisë ekstreme



Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, komentoi studimin e Bankës Botërore, PNUD-it dhe INSTAT-it për matjen e nivelit të jetesës. Bregu u shpreh se studimi ka konfirmuar edhe njëherë se varfëria në vend po vazhdon të shënojë rënie me ritme më të shpejta, krahasuar me vitet më parë. “Nga 18.5% që ishte në vitin 2005, sot niveli i varfërisë ka rënë në 12.4%, me një rënie me mbi 35% në vitet 2005- 2008, nga një rënie me 27% që ishte shënuar në periudhën 2002-2005”, - tha Bregu. Ajo premtoi se qeveria do të ndjekë politika për reduktimin e treguesit të varfërisë relative me 70% dhe eliminimin e plotë të varfërisë ekstreme në vend. Bregu u shpreh se studimi ishte një konfirmim i politikave ekonomike e sociale të ndërmarra nga qeveria, që kanë bërë të mundur që mbi 200 mijë persona të shkëputen nga zinxhiri i varfërisë dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit. Sipas saj, arsyet e uljes së varfërisë në vendin tonë janë: niveli i lartë dhe i konsoliduar i rritjes ekonomike gjatë këtyre viteve, në 7%; politikat qeveritare të mbështetjes e vëmendjes ndaj këtij problemi të ndjeshëm; dyfishimi i pensioneve, pagave, asistencës sociale; lehtësirat e të bërit biznes; taksat e ulëta, apo dhe programet e zhvillimit rural; investimeve publike.

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›