E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria harroi 20 shkurtin, 5 shoqata dhe sindikata reagojnë



TIRANË – “Qeveria harroi 20 shkurtin”. Ky ka qenë reagimi i 5 shoqatave dhe sindikatave, të cilat, me anë të një letre, i janë drejtuar presidentit Topi dhe disa ambasadorëve të akredituar në vend. Në kërkesën e tyre thuhet se është për të ardhur keq që si para një viti, edhe tani, ata u janë drejtuar për këtë problem të gjitha institucioneve të vendit, por kërkesave të tyre nuk i është dhënë asnjë përgjigje. “Si kundërpërgjigje e kërkesave tona, që përfaqësojnë popullin tonë, u festua me vendim qeverie 8 dhjetori, Dita e Pluralizmit dhe Rinisë, ku u bën shpenzime marramendëse, u shkelën normat demokratike dhe ligjet shtetërore”, – thuhet në këtë letër. Nga ana tjetër, pesë shoqatat dhe sindikatat theksojnë se 20 shkurti u la në heshtje të plotë duke u mjaftuar me një deklaratë të zëdhënëses së qeverisë, e cila theksoi se 20 shkurti është dita e përmbysjes së diktaturës komuniste. “Populli e kuptoi që kjo u bë për arsye politike nga qeveria në mënyrë që të mbivlerësonte kontributin e studentëve të Dhjetorit 1990, që u bënë pushtetar dhe militantë të devotshëm të Partisë Demokratike”, - shprehen pesë hartuesit e kësaj letre. Në fund të saj ata bëjnë të ditur se Komisioni i Ligjeve e miratoi projektligjin e mësipërm pa marrë pjesë në të deputetët e Partisë Socialiste që përbëjnë afro gjysmën e Komisionit, që sipas tyre, përfaqësojnë me mijëra ish-protestues të asaj kohe, të cilët janë militantë të Partisë Socialiste.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›