E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzime me cilësinë e karburantit, tregtarët “kërdi” në kurriz të konsumatorit



Ervin KOÇI

Tregtuesit e hidrokarbureve po dëshmojnë për ditë e më shumë se janë të pangopur në fitime duke mos kursyer asnjë konsumator. Abuzimet përveç se me çmimin e hidrokarbureve që rritet sipas qejfit duke përfituar edhe nga heshtja e qeverisë e cila fiton nga arkëtimi i taksave, tani i shtohet dhe abuzimi me cilësinë dhe sasinë në shitjen me pakicë ndaj klientëve. Vetëm dje pas një aksioni të koordinuar të task-forces së Policisë Tatimore, Inspektorateve në vartësi të METE-s dhe Drejtorisë së Metrologjisë dhe Kalibrimit, u arit që të kapej një sasi jo e vogël verxhine, një substancë kjo që importohet në Shqipëri me porosi të grosistëve të karburanteve me qëllim që të përzihet me naftën dhe hidrokarbure të tjera, me qëllim shtimin e sasisë dhe fitimin në cilësi. Task-forca e Tatimeve ka ndaluar pikërisht mbrëmjen e së mërkurës një bot me 22 mijë litra verxhina, lëndë djegëse e cila përzihet me naftën dhe i shitet konsumatorit shqiptar, pa e kuptuar ky i fundit. Drejtues të tatimeve pohuan dje për gazetën “Albania” se, “ndalimi këtij boti erdhi për mungesë dokumentacioni, por prej sinjalizimeve nga ku dyshohej se lënda e sjellë do të tregtohej në pikat e pakicës në kryeqytet duke u përzierë me naftë”. Sipas drejtuesve të tatimeve, një praktikë e tillë ndiqet nga shumë kompani të cilat e importojnë këtë substancë duke e zhdoganuar si lëndë djegëse, por që më pas e përziejnë me naftën dhe hidrokarbure të tjera për të shtuar sasinë në dëm të cilësisë.

Kontrolli
Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit, e cila merret me sasinë e produkteve që i shiten konsumatorit, e ka shtrirë dje kontrollin e saj në pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve në kryeqytet. Në fokus të kontrollit kanë qenë pikat e tregtimit në zonën jugore dhe perëndimore të kryeqytetit, ku kontrolli edhe pse u bë nën vëzhgimin e medieve, përsëri hasi në rezistencën e disa kompanive të cilat nuk pranuan të kontrolloheshin në mënyrë të befasishme. Gazetarët kërkuan që të kontrollohej pika më e afërt e karburantit, e cila ishte pronë e kompanisë të naftës “Taçi - Oil”. Por rezultati ishte zhgënjyes. Përfaqësuesit e DPMK-së nuk mundën të kontrollojnë pikën, pasi punonjësit nuk i lejuan inspektorët sepse nuk kishin marrë urdhër nga pronari i tyre duke penguar zyrtarët e shtetit të ushtrojnë kontrollin. Por konsumatori shqiptar nuk është i cenuar vetëm nga vjedhja e sasisë së karburantit, por edhe nga cilësia e tij. Angjelina Kola, drejtore e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit, thotë se, “vetëm 5-6 % e tregut ka probleme me sasinë e lëndëve djegëse, duke e vjedhur në peshë konsumatorin”. Sipas saj, ligji i jep të drejtën e kontrollit të befasishëm subjekteve për të verifikuar sasinë e lëndës që shitet. Përveç kompanisë “Taçi – Oil”, subjekte të kontrolleve të DPMK-së dhe taks-forces kanë qenë edhe pikat e tregtimit me pakicë të kompanive si “Kastrati”, “Elda”, “Rira”, etj.

Abuzimet
Të gjithë drejtuesit e automjeteve duhet të tregohen mjaftë të kujdesshëm kur shkojnë dhe furnizojnë automjetin e tyre me karburant. Pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve janë kthyer në “foleza” grabitjesh të cilat vjedhin dhe abuzojnë jo vetëm tek çmimi dhe cilësia e karburanteve, por edhe tek sasia që shesin. Nga një kontroll që ka nisur ditët e fundit në shumë pika karburanti përgjatë disa akseve nacionale që lidhin kryeqytetin me qytetet kryesore nga DPMK-ja dhe Policia Tatimore, rezultoi se tregtuesit abuzonin dhe me sasinë. Në shumë pika të shitjes me pakicë, specialistët e kalibrimit konstatuan vetëm në sajë të disa matjeve “primitive” (me bidonë plastik ku ishte shënuar sasia e litrave), se tregtuesit e karburantit në një furnizim që mund t’i bënin një automjeti, arrinin të vidhnin nga 1- 2.5 litra karburant. Kjo bëhej e mundur në sajë të manipulimeve që ata u kishin bërë pistoletave të furnizimit dhe kontaktorëve që tregonin sasinë e litrave për lekë. Edhe pse kontaktorët tregonin me shifra sasinë e saktë të litrave që hidheshin në bazë të parave, në një serbator makine, pompa furnizuese mbante 1- 2 litra në tubat e gomës brenda aparaturave, që në jo pak raste pronarët e stacioneve të karburantit i kishin zgjatur qëllimisht duke i fshehur brena aparaturave. Kjo gjë pas konstatimit ka bërë që Policia Tatimore të vendosë një mori gjobash për shumë subjekte private.

BOX/////////////////////////////
Importuesit e karburanteve: Do të vijojë rritja e çmimit

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve gjykon se në të ardhmen do të ketë ndikime të tjera në tregun e hidrokarbureve. Sipas tyre, dalja nga recesioni i një numri të konsiderueshëm kompanish të njohura ndërkombëtare dhe i shteteve të prekura nga kriza globale, fillimi i rritjes ekonomike në këto vende etj., pritet të sjellë domosdoshmërisht një rritje të kostos së lëndëve të para, një ndër më kryesoret nga të cilat janë edhe hidrokarburet. Tjetër shkak do të jetë rritja e taksës që pritet të miratojë së shpejti qeveria. Parashikimet janë për një çmim në bursën ndërkombëtare të karburanteve jo më pak se 100 dollarë/fuçi, gjë që do të ndikojë domosdoshmërisht edhe në luhatjet e çmimeve të këtij produkti brenda vendit. Në periudhën tetor 2009–janar 2010 çmimet e bursës për produktet hidrokarbure kanë variuar nga 67 USD/fuçi deri në 72 USD/fuçi, që do të thotë një kuotim i produktit të gatshëm në nivelin midis 560-710 USD/ton. Nga muaji janar 2010 deri në mars 2010, çmimet në bursë kanë njohur një kapërcim të dukshëm, duke kuotuar një fuçi naftë nga 79–83 USD/fuçi. Ose e thënë ndryshe produkti i gatshëm është kuotuar në nivelin nga 660–700 USD/ton.

Transportet: Rruga e re Tiranë-Elbasan, e leverdishme

Rruga Tiranë-Elbasan e gjatë 32.6 kilometra është përllogaritur të kushtojë 260 milionë euro. Sipas Ministrisë së Transportit, edhe pse ky do të jetë një investim tepër i kushtueshëm i qeverisë, leverdisshmëria ekonomike e kësaj rruge për banorët e Tiranës dhe Elbasanit, si dhe të zonave ku do të kalojë kjo rrugë, do e justifikojë këtë çmim. Sipas zëvendësministrit Ernest Noka fakti që kjo rrugë do të kalojë në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së saj në zonë urbane do sjellë mundësi për zhvillim aktiviteti për banorët e zonave ku do të kalojë ajo. “Zona e parë prej 2,3 km do jetë në zonë urbane dhe do jetë një impuls zhvillimi ekonomik për Tiranën dhe Elbasanin”,- u shpreh Noka. Aktualisht është gati projekti i studimit të ndërtimit të kësaj rruge por nuk ka filluar akoma procesi i përzgjedhjes së kompanive private që do të merren me ndërtimin e saj. Kjo rrugë do të jetë një investim që do të realizohet tërësisht me fondet e buxhetit të qeverisë.

Diskutohet drafti për sektorin minerar, më shumë kërkesa për lejet

Projektligji për sektorin minerar i hartuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës është diskutuar në Këshillin Konsultativ të Biznesit përpara dërgimit të tij për miratim në qeveri. Ministri, Dritan Prifti ka deklaruar se, drafti synon të vendosë rregull në sektorin minerar duke rritur kërkesat për bizneset që kërkojnë leje minerare.
“Pushteti vendor, në çdo rast duhet të përfitojë një pjesë të rëndësishme të rentës minerare dhe në këtë rast propozimi jonë është 25 për qind të saj. Kemi futur disa kërkesa pak më të larta për ata që marrin leje minerare qoftë për leje zbulim-kërkimi qoftë leje shfrytëzimi për të kërkuar disa garanci financiare nga ata që i marrin lejet”,- theksoi Prifti. Një tjetër arsye e hartimit të draftit të ri për sektorin minerar është edhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Ndërtimet në Shqipëri, me cilësi të dobët

Zhvillimi i vrullshëm që ka pësuar sektori i ndërtimit në Shqipëri, nxitur edhe nga kërkesa e lartë për strehim apo për infrastrukturë, është shoqëruar me mungesën e cilësisë. Materiale të dobëta por edhe kushte teknike të vjetruara janë disa nga elementët që i bëjnë shumë ndërtesa të pasigurta për qytetarët. Ndërkohë e njëjta gjë vlen edhe për rrugët. Ekspertët e fushës bëjnë apel për cilësi më të mirë të ndërtimeve, një kërkesë që është shtruar edhe nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve Publike gjatë akreditimit të Institutit të Ndërtimit. Eurokodet janë kushtet teknike bashkëkohore, që zbatohen aktualisht në të gjithë botën dhe që ofrojnë siguri më të lartë.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›