E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të mos prodhohen ndotje që nuk i ka standardi

15/07/2009  KRRTRSH-ja miraton projektin për zonën energjetike në Porto-Romano

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e djeshme masterplanin për zhvillimin e integruar të zonës energjetike dhe industriale të Porto-Romanos në Durrës, me sipërfaqe 810 hektarë. Vetë kreu i KRRTRSH-së, Kryeministri Sali Berisha, ka vlerësuar këtë projekt tepër të rëndësishëm, që “do ta shndërrojë Porto-Romanon në një nga zonat industriale më të fuqishme të vendit”. Kreu i qeverisë theksoi se Porto-Romano do të jetë zona më e fuqishme industriale e vendit dhe që do të shndërrohet në nyjën e energjisë elektrike më të rëndësishme të rajonit të Ballkanit, si dhe do të jetë një nga zonat industriale më të fuqishme të zhvillimit të vendit. Kreu i qeverisë ka theksuar se qeveria vlerëson mbi të gjitha mjedisin dhe standardet, ndërkohë që më pas vijojnë kapacitetet. “E rëndësishme është të mos prodhohen ndotje që nuk i ka standardi”, - ka deklaruar Berisha. Ai kërkoi që krahas studimit ekzistues të bëhet edhe një studim tjetër për të përcaktuar kapacitetet e termocentraleve me gaz, biomasë, naftë apo qymyr, të cilat mbi këto kapacitete prodhojnë ndotje nën kufijtë e lejuar. “Ka një studim që bën njëfarë vlerësimi dhe përcaktimi se në çfarë shkalle mund të ndërtohen termocentralet, ç’kapacitete mund të ndërtohen, por kërkohet dhe është e domosdoshme që të bëhet një studim për të përcaktuar kapacitetet e termocentraleve me gaz, biomasë, naftë, qymyr, që mbi bazën e këtyre kapaciteteve prodhojnë edhe një ndotje që nuk mund të jetë kurrë ndryshe, veçse në kufijtë e lejuara”, - tha kreu i qeverisë. Duke folur për rëndësinë e këtij projekti gjigant energjetik, shefi i ekzekutivit iu referuar edhe standardeve të parkut energjetik të Vlorës, në të cilin sipas tij ndotja e parashikuar është dy herë nën standardin europian. Berisha tha se për sa i përket projektit të Porto-Romanos nuk ekziston asnjë lloj babëzie dhe se qeveria nuk udhëhiqet nga asgjë tjetër veçse mbrojtjes tërësore të mjedisit. “Ne nuk kemi asnjë paragjykim është me qymyr, është me gaz apo është me naftë, e rëndësishme është që të mos prodhojë ndotje që nuk e përmban standardi”, - tha ai. Gjatë diskutimeve mbi projektin energjetik të Porto-Romanos Kryeministri Berisha kërkoi kontraktimin e një kompanie për kryerjen e një studimi që përcakton kapacitetet e termocentraleve me gaz, biomasë, naftë apo qymyr me ndotje nën kufijtë e lejuar. Berisha pohoi se ekziston një studim paraprak, por ai duhet të përforcohet përmes një studimi të dytë më të hollësishëm. “Ne duhet të kontraktojmë një kompani ndër më seriozet, e cila të na përcaktojë qartësisht se cilat do të jenë kapacitetet energjetike që ne do të mund të ndërtojmë në atë zonë, pa cenuar aspak standardet qoftë për qytetin, qoftë për zonën tjetër mbi gjirin e Lalzit, për të cilën ka projekte jashtëzakonisht të rëndësishme prej miliarda euro investime”, - deklaroi ai. Duke u përqendruar në ruajtjen e mjedisit, kreu i qeverisë i ka kërkuar ministrit të Mjedisit Lufter Xhuveli që të bëhet sa më shpejt një studimi për efektin kumulativ që shkaktojnë fabrikat e çimentove. Berisha kërkoi që brenda kësaj jave të merren të gjitha masat për shpalljen e tenderit për të kontraktuar një nga kompanitë më të mira, e cila do të bëjë studimin kumulativ në një kohë sa më të shkurtër. Projekti i zhvillimit dhe ndërtimit të parkut industriale të Porto-Romanos ka nisur me inaugurimin e portit të lëndëve djegëse më datën 4 qershor të këtij viti.

Hidrocentralet

KRRTRSH-ja ka miratuar në mbledhjen e djeshme leje ndërtimit për hidrocentrale të mesme dhe të vogla, që do të rritin ndjeshëm furnizimin me energji dhe për pasojë do të kenë një impakt pozitiv në punësim dhe në zhvillimin ekonomik të zonave ku do të ndërtohen. Këshilli miratoi dhënien e lejes së sheshit të ndërtimit të hidrocentralit të Ashtës në komunën e Bushatit, Qarku Shkodër, investim i kompanisë austriake “Verbund” prej 160 milionë euro. Po ashtu u miratua ndërtimi i hidrocentraleve “Lura 1”, “Lura 2” dhe “Lura 3”.

Mbledhja e ardhshme

KRRTRSH-ja do të mblidhet përsëri pas një jave për të diskutuar dhe miratuar lejet e ndërtimit të ndërtimit të katër fabrikave të prodhimit të çimentos si dhe mbi 20 vendime të tjera. Drejtuesi i Këshillit, Kryeministri Berisha, deklaroi se do të ketë një tjetër mbledhje për faktin se investimet e mëdha nuk duhet në ndalohen dhe nuk mund të mbahen peng nga burokracitë. Sipas tij, nuk do të ishte e drejtë pengesa ndaj investimeve të mëdha, pasi do të kishte një kosto për ekonominë e vendit.

Projekti në Lundër

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka miratuar studimin urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin “Kompleks rezidencial banimi me 2, 3 dhe 4 kate, me sipërfaqe 21216 m2 në fshatin Lundër, komuna e Farkës”. Por KRRTRSH-ja vendosi që vendimi do të zbardhet e do të ketë fuqi vetëm pasi në të përfshihet ndërtimi i kampusit universitar. Kryeministri Berisha tha se në atë zonë ishte parashikuar më parë ndërtimi i një kampusi dhe se nuk mund të anashkalohet.

Projekti në Dajt

KRRTRSH-ja miratoi dy studimet urbanistike në Lanabregas të Komunës së Dajtit në Tiranë. Studimi urbanistik i lagjes “Qesarak” synon urbanizimin e zonës pas ndërtimeve masive informale të kryera pa një studim, ose me studime pjesore. Studimi i kësaj lagje rreth 181 ha përfshin përmirësimin ndjeshëm të infrastrukturës dhe të shërbimeve utilitare, si furnizimi me ujë, energji dhe rrjeti i kanalizimeve. KRRTRSH-ja vendosi ndërtimin e tri komplekseve hotelerie dhe banimi në një sipërfaqe prej 73 ha.

Qëndrim për projektet

Nuk miratohet asnjë projekt pa kënd për fëmijët

Kreu i qeverisë, njëherësh drejtues i KRRTRSH-së, Sali Berisha, ka deklaruar prerazi se nuk do të miratohet asnjë projekt urbanistik, në qoftë se në të nuk do të jetë parashikuar një sipërfaqe për kënd lojërash për fëmijët. Kreu i qeverisë ka theksuar se ky është një qëndrim i padiskutueshëm dhe se do të zbatohet për planet urbanistike të cilitdo qyteti në vend. Ai theksoi se shembulli më i keq është kryeqyteti, në të cilin fëmijët fatin më të madh e kanë të shkojnë e të dalin te Liqeni, por nuk ka një park të vërtetë lojërash. Ndaj, sipas tij, Këshilli nuk do të miratojë dhe nuk do të shpallë asnjë plan urbanistik ku nuk janë përcaktuar hapësirat për fëmijët. “Çdo plan tjetër do të ketë kushtin ‘sine equanon,’ një kënd i bollshëm lojërash për fëmijë. Një djalë 15-vjeçar nga Gjirokastra më dërgoi një mesazh ku më thoshte: ‘Meqenëse qeveritarët vendorë nuk mendojnë për ne, ju lutem bëni çdo gjë që të kemi kënde lojërash për fëmijët”. Kjo do të thotë se çdo projekt, çdo plan dhe gjithçka nuk vjen në KRRTRSH pa pasur të përcaktuar territorin e lojërave për fëmijë”, - tha ai gjatë mbledhjes, ku u miratuan disa projekte për zhvillim urbanistik dhe turistik në disa zona të vendit.

Fabrika e riciklimit

Kapaciteti i përpunimit parashikohet 1 mijë tonë në muaj

Këshilli i Rregullimit të Territorit ka miratuar ndërtimin e një ndër të parat fabrika të riciklimit të mbetjeve plastike. Kjo fabrikë është parashikuar të ndërtohet në Bilisht të Qarkut të Korçës, e cila sipas ekspertëve është impianti i parë cilësor në vend për riciklimin e mbetjeve dhe do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 2 mijë metra katrorë. Vetëm në fazën e parë parashikohet të investohen rreth 3 milionë euro, ndërsa kapaciteti i përpunimit parashikohet 1 mijë tonë në muaj. Në këtë fabrikë parashikohet të punësohen rreth 100 punëtorë, por mund të vetëpunësohen rreth 400-800 të tjerë, të cilët mund të mbledhin vetë mbetjet plastike dhe t’i dorëzojnë pranë fabrikës kundrejt pagesës. Kryeministri Berisha, në rolin e drejtuesit të KRRTRSH-së, bëri me dije se qeveria po përgatit një kuadër ligjor sipas një modeli suedez, i cili do të detyrojë të gjithë tregtarët t’i rimbledhin dhe t’i dërgojnë në fabrikë mbetjet plastike për riciklim. Shefi i ekzekutivit theksoi se disa vende tashmë kanë hequr nga përdorimi qeset plastike dhe po përdorin ato prej letre, ndërsa në Shqipëri do të vendoset rregulli dhe këto mbetje plastike nuk do të bëhen pjesë e ndotjes, por e riciklimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›