E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Kjo është opozita më hipokrite në botë”



Zëvendëskryeministri Ilir Meta e cilësoi hipokrit qëndrimin e PS-së në seancën e djeshme parlamentare. Ai tha se maxhoranca i ka ofruar opozitës të gjitha rrugët e mundshme ligjore për të bërë transparencën e zgjedhjeve, por ajo i ka refuzuar. “Për fat të keq kjo është opozita më hipokrite në botë. Këta nuk kanë shqetësim për transparencën e zgjedhjeve. Nëse do të kishin shqetësim të tillë, meqenëse maxhoranca i la mundësinë të bënin Kodin Elektoral, ata do të ishin transparentë me aleatët e tyre, duke filluar me LSI-në, Gjinushin dhe Milon. Por këta kërkuan çdo gjë, por që të bënin një kod diskriminues për të zhdukur aleatët e tyre. Ata vazhdojnë akoma hipokrizinë e tyre. Pasi që në fillim i është dhënë maxhoranca e komisionit hetimor. Për çfarë ankohen tani?! Sepse kryetarin e kanë, maxhorancën e kanë, objektin e hetimit e kanë. Pse nuk hetojnë?! Edhe për kutitë mund të hetojnë. T’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Ndërsa nëse duan të çojnë në burg komisionerët e tyre, t’i drejtohen Prokurorisë. Po këta duan destabilizimin e Shqipërisë, turpërimin e Shqipërisë”, - është shprehur Meta.
Sipas Metës, nuk mund të pranohet kërkesa e PS-së që me ligj të vendosin hetimin e të gjitha zgjedhjeve pas shpalljes së rezultatit përfundimtar. “Ata kanë ardhur në Parlament për të shpëtuar mandatet e 30 biznesmenëve që kanë në Grupin Parlamentar. Ata nuk do të japin votën për asnjë nismë të rëndësishme, pasi duan të mbajnë peng Parlamentin”, - është shprehur Meta.

Malaj dhe Islami: Dalja nga salla e PS-së, veprim i gabuar i Ramës

Dy deputetët e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht edhe dy anëtarët e njohur të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, Arben Malaj dhe Kastriot Islami, janë shprehur kundër vendimit të opozitës për të braktisur sallën e Kuvendit. Pas daljes së opozitës nga Kuvendi, dy deputetët e kanë cilësuar vendimin e PS-së si jo të duhurin, por kanë theksuar se kombinimi i protestave me luftën në sallën e Kuvendit është vendimi më i mirë për PS-në. “Vendimi për të braktisur sallën u mor në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PS-së”, - theksoi Malaj duke shtuar se në këtë mbledhje ai votoi kundër daljes nga salla. Ndërkohë, deputeti i PS-së, Kastriot Islami, theksoi se bojkoti i opozitës është një veprim i gabuar dhe jo i suksesshëm për opozitën, duke shtuar se debati politik duhet të bëhet në Kuvend. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti Malaj, i cili theksoi se PS-ja duhet të bëjë opozitë parlamentare dhe se kriza po krijon kosto shtesë për vendin.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›