Marrëveshja për varrezat greke kundërshtohet ashpër nga Tahiri dhe Idrizi
Dy deputetët që përfaqësojnë komunitetin çam në Parlament, Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi, kanë kundërshtuar ashpër miratimin nga Kuvendi të marrëveshjes për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri. Idrizi është shprehur se Greqia duhet të marrë në konsideratë të drejtën e popullsisë çame për të vizituar trojet e tyre dhe varret e të parëve. Ai shtoi se ushtria greke që kërkon varre në Shqipëri kishte ardhur si një ushtri pushtuese dhe jo çlirimtare. Ai tha se Greqia vazhdon ende të mbajë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërisë dhe si e tillë PDU-ja do të votojë kundër çdo nisme të tillë. “Marrëveshja që po diskutojmë sot vjen për t’u miratuar jo rastësisht sot, në ditën e çlirimit të Greqisë nga pushtuesit otomanë. Duket sikur dëshirojmë t’i bëjmë një dhuratë Greqisë së sotme që harron se heronjtë e Revolucionit grek që sollën çlirimin e Greqisë janë çamë. Kjo marrëveshje vjen për të ligjëruar varret e ndërtuara me kohë në Këlcyrë. Shqipëria prej kohësh ka shitur varre. Këta njerëz kanë paguar eshtra edhe fëmijësh duke i cilësuar si ushtarë grekë. Pala greke duhet të tregojë reciprocitet në lidhje me ne.
Por cili është kuptimi i një numri kaq të madh të varrezave? Pse nuk i çojnë në Greqi këto varre, pasi ç’kuptim kanë këtu në Shqipëri? Autoritetet tona nuk kanë diskutuar kurrë statusin e këtyre ushtarëve, pasi dokumentet historike thonë se ajo ishte një ushtri pushtuese. Ata shkatërruan objekte kulti të fesë myslimane dhe madje ortodokse në Shqipëri. Kjo ushtri ka vepruar në Shqipëri sipas ligjit që luftës, që është akoma në fuqi në Greqi”, është shprehur Idrizi. Edhe deputeti tjetër i PDU-së, Dashamir Tahiri, u shpreh se nuk mund të miratohet një marrëveshje e tillë në një kohë kur qeveria greke nuk ka njohur ende gjenocidin ndaj popullsisë çame dhe nuk e lejon akoma këtë popullsi të vizitojë trojet ku kanë lindur ata dhe të parët e tyre.
Parlamenti votoi me 66 pro dhe 5 kundër marrëveshjen për ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri.
26 Mars 2010