E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompetencat, Kuvendi do të vendosë për drejtuesin e procesit Ngrihet komision i posaçëm për verifikimin e tokave bujqësore

Qeveria ndryshon me akt normativ Ligjin Nr. 9948, "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". Thelbi i ndryshimit ka të bëjë me kompetencat e Komisionit Qeveritar të Tokës, i cili me ligjin e vjetër, neni 5 thotë se, "Komisioni Qeveritar i Tokës (KQT) kryesohet nga zëvendëskryeministri. Pranë ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe në shërbim të KQT-së krijohet dhe funksionon sekretariati teknik". Duke ndryshuar vetëm fjalinë e parë, tani bëhet, "në zbatim të këtij ligji, krijohet, si strukturë e veçantë, Komisioni Qeveritar i Tokës". Në këtë mënyrë, Kryeministri ia heq funksionin e verifikimit të tokave bujqësore, zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ia lë në dorë Kuvendit të Shqipërisë për ta vendosur se kush do ta drejtojë KQT-në. Ndryshimet ishin parashikuar të diskutoheshin dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, por u shty për një datë tjetër.

Sipas nenit 2 të ligjit, kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë private mbi tokën, të krijuar te sipërfaqet, që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin "Tokë bujqësore" dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.7501, datë 19.7.1991 "Për tokën", të ndryshuar. Sipërfaqet e tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.8337, datë 30.4.1998 "Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave", do të kenë vlefshmëri ligjore.

Nuk kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë në të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin "Tokë bujqësore", si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore pas kësaj date.

Procesi i verifikimit të tokave bujqësore të ndara sipas Ligjit 7501 (i nisur në fund të 2008-s) duhet të kishte përfunduar brenda tremujorit të parë 2009, por problemet e shumta dhe dokumentet voluminoze e detyruan qeverinë të shtyjë afatin. Një tjetër problem serioz që shoqëron procesin lidhet me panikun e fermerëve rreth faktit e manipulimit nga ana e komisionerëve për tokat bujqësore. Kryeministri Berisha ka siguruar se "askujt nuk do t‘i merret toka, nëse e ka përfituar brenda rregullave të ligjit 7501″. Zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë pretendojnë se në fillim të viteve 1990, kur nisi ndarja e tokave bujqësore, ish-pronë e kooperativave, shumë kryetarë komunash dhe bashkish kanë abuzuar me ligjin, duke shpërndarë tapi në mënyrë të padrejtë. Në rang vendi numërohen rreth 450 mijë familje që kanë përfituar nga Ligji 7501.

Më parë ky komision drejtohej nga zëvendëskryeministri Genc Pollo dhe merrej me verifikimin e titujve të pronësisë të dhëna ndër 18 vite, kryesisht në zonat turistike. Deri më tani ky komision ka zhvlerësuar titujt e pronësisë, që shkojnë deri në 60 mijë hektarë tokë bujqësore. Ndërsa një ligj i tillë është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›