E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Mund ta ulim interesin bazë së shpejti

Banka e Shqipërisë nuk e ka përjashtuar nga diskutimi mundësinë e uljes së normave bazë të interesit dhe mund ta bëjë diçka të tillë në rast se pritshmëritë për ecurinë e inflacionit do të mbeten të ulëta, thotë guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani. Fullani foli për agjencinë "Reuters" në Athinë, ku gjendej për një takim rajonal.

"BSH do të vijojë të injektojë likuiditetet, siç e kemi bërë edhe më herët në tregun ndërbankar dhe me pritshmëritë për inflacion të ulët, ndoshta do të shohim mundësinë e lehtësimit të politikës monetare", tha Fullani.

Sipas tij, vlerësimi i fundit i BSH-së tregon se ekonomia shqiptare do të rritet me 2-2.5 për qind për këtë vit dhe situata është përmirësuar veçanërisht gjatë muajit shtator, kur sistemi bankar shënoi rritje të ndjeshme të depozitave dhe kredive.

"Parashikimi i ri është lehtësisht më i lartë, (se paraardhësi), remitancat po përmirësohen dhe depozitat po rriten", tha Fullani. "Shtatori ishte një pikë kthese". Sipas tij, tani ka arsye që bankat të kreditojnë më shumë. "Tani bankat kanë depozita dhe kërkesa mbetet e lartë", shtoi Fullani.

Banka e Shqipërisë nuk publikoi asnjëherë gjatë këtij viti një parashikim për rritjen ekonomike, duke deklaruar se "rritja do të jetë më e ulët se sa vitin e kaluar". Vlerësimi i BSH-së është shumë më i ulët se sa ai i qeverisë. Qeveria thotë se rritja ekonomike këtë vit do të jetë 5.8 për qind.

Norma bazë e interesit të lekut është aktualisht 5.75 për qind dhe është ndryshuar për herë të fundit në janar të këtij viti. Norma bazë ndikon në interesin e kredive e depozitave dhe shumë analistë i patën sugjeruar më herët Bankës së Shqipërisë ta ulë normën bazë, me synimin për të lehtësuar kredimarrjen dhe ekonominë në tërësi në kohë krize. BSH-ja, nga ana e saj, deklaroi se vetëm pasi qeveria të reduktonte shpenzimet e veta, ajo mund të "ndiqte një politikë monetare më liberale".

Për më tepër, ndërsa norma bazë e interesit u ul nga 6.25 në 5.75 për qind në janar, interesat e bonove të thesarit vijuan të rriten si pasojë e kërkesës konstante për borxh të qeverisë dhe mungesës së parave për blerjen e borxhit publik nga ana e bankave. Sipas një studimi të BSH-së, ulja e normave bazë të interesit ka mundësi të shoqërohet me tendencë nënçmuese të monedhës kombëtare lek, gjë që ka qenë edhe argumenti më i fortë kundër uljes, pavarësisht krizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›