E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i duhanit, gjobitet "Nënë Tereza"

Një urdhër i ri i Ministrisë së Shëndetësisë ka vendosur në lëvizje inspektorët dhe specialistët e Shëndetit Publik. Kontrollet do të nisin nga vetja. Konkretisht dje, drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe kreu i ISHP-së kanë nisur kontrollet nga spitali "Nënë Tereza", nga ku kanë vendosur edhe gjobën e parë në vlerën e 50 mijë lekëve të reja. Arsyeja e gjobës, moszbatimi i ligjit të duhanit, mosvendosja e kartelës ku thuhet: "Këtu ndalohet pirja e duhanit". Shqipëria pa duhan është nisma e fundit e Ministrisë së Shëndetësisë. Inspektorati Sanitar Shtetëror ka ndërmarrë një aksion në rang kombëtar për zbatimin pa kompromis të ligjit "për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit".

Pas urdhrit të fundit të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, një grup inspektorësh të drejtuar nga kryeinspektori Gazmend Bejtja dhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, ka verifikuar në terren zbatimin e këtij ligji.

Verifikimi ka nisur nga qendra spitalore universitare "Nënë Tereza", ku janë vizituar shumë klinika dhe lokale që ndodheshin brenda territorit të kësaj qendre.

Inspektorët sanitarë, që në daljet e tyre të para në terren janë përballur me jo pak raste të shkeljes së ligjit. Ndërkohë që janë zbatuar masat paralajmëruese për shumë subjekte deri në gjoba financiare, siç është rasti i pavijonit të konsultave kirurgjikale pranë qendrës spitalore "Nënë Tereza", ku është aplikuar dhe gjoba prej 50 mijë lekësh të reja, për arsye se në ambiente mungonin shenja dalluese që ndalojnë konsumin e duhanit

"Shumë shpejt do të vendosen gjoba dhe masa të rënda ndëshkimore për të gjithë shkelësit e ligjit", tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli.

"Inspektorati Sanitar ka pjesën e vet të përgjegjësisë, por kërkohet bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera që ligji të mirëfunksionojë. Gjithë armata e inspektorëve, duke filluar nga dita e sotme, është në terren", sqaroi Gazmend Bejtja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›