Konkursi për policët e rinj, si do të bëhen ndarjet sipas qarqeve
Habjon Hasani
Tiranë - Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, aplikimet dhe konkursi për të interesuarit që duan të ndjekin studimet në Shkollën bazë të Policisë do të jetë i shpërndarë në disa grupe, të cilat janë të ndara sipas qarqeve. Faza e parë është dhe më e thjeshta. Në këtë fazë përfshihet aplikimi i të interesuarit. Sipas rregullave të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, këto aplikime do të depozitohen në formularë standardë sipas drejtorisë së qarkut që përfshin vendin ku banon dhe është i pasaportizuar aplikanti i interesuar. Duke filluar që prej ditës së djeshme (16 janar 2009), të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën bazë të Policisë për “Patrullë të përgjithshme”, mund të aplikojnë pranë të gjithë drejtorive të policisë në qarqe. Aplikimi është i hapur për të gjithë të interesuarit gjatë gjithë vitit dhe formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë strukturave të personelit në çdo drejtorie policie në qark.
Konkursi
Ndërkohë, Drejtoria e Personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me drejtoritë e policisë në qarqe do të bëjnë njoftimin e aplikantëve për datën dhe orën kur do të zhvillohet testimi me shkrim. Për të krijuar lehtësira për aplikantët, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe Universitetin “Kristal” në Fier, ka bërë të mundur që testimi me shkrim për aplikantët të zhvillohet në këtë grup ambientesh nëpër qytete, ku në secilin universitet do të përmblidhen aplikantët e qarqeve përreth. Për qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari” Tiranë. Për qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Për qarqet Elbasan dhe Korçë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Për qarqet Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Kristal” Fier.
Kushtet
Kriteret e domosdoshme që duhet të përmbushë aplikanti për të ndjekur studimet në Shkollën bazë të Policisë për “Patrullë të përgjithshme” janë njësoj si ato të një viti më parë. Aplikanti duhet medoemos të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë, të ketë zotësi për të vepruar, të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën, të ketë mbaruar shkollën e mesme, të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër, që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor, të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë si dhe të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B. Gjithsesi, dje Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka siguruar se “strukturat e personelit pranë drejtorive të policisë në qarqe do t’u japin të gjithë aplikantëve informacionin e nevojshëm për procesin e testimit, si: shembuj pyetjesh, udhëzimet e testimit me shkrim, si dhe sqarime mbi mënyrën e plotësimit të fletës së skantronit. Ashtu sikundër dhe në vitet e mëparshme, korrigjimi i testimit do të bëhet me skaner dhe kandidatët do të njihen brenda ditës me rezultatin e testimit me shkrim”.
BOX
Tabela e vendeve ku do të zhvillohet konkursi sipas qarqeve
a) Akademia e Policisë “Arben Zylyftari” në Tiranë
Përfshin qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Dibrës
b) Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër
Përfshin qarqet e Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës
c) Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan
Përfshin qarqet Elbasan dhe Korçë
d) Universiteti “Kristal” në Fier
Përfshin qarqet e Fierit, Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës
Masa, gjykata lë në qeli vrasësin e dëshpëruar
KORÇË - Gjykata e Rrethit të Korçës dha dje masën e sigurisë burg pa afat ndaj 45-vjeçarit, Reshit Adri, banor i fshatit Podgorie, i cili pak ditë më parë vrau bashkëfshatarin e tij, plagosi një grua dhe terrorizoi shumë banorë të zonës. I akuzuar për veprën penale "vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave", 45-vjeçari Adri do të qëndrojë në burg pa afat deri në zhvillimin e procesit të rregullt gjyqësor në ngarkim të tij. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, avokati Sotiraq Çeta kërkoi për klientin e tij që t'i nënshtrohet ekzaminimit psikik.
Arrestohet 51-vjeçari, kërkohej për fyerjen e policit
ELBASAN - Një 51-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale "kundërshtim të punonjësit të policisë" u arrestua dje në mëngjes nga policia e Elbasanit. “Për këtë vepër penale, Petrit Tollumi ishte dënuar me gjashtë muaj heqje lirie në mungesë nga gjykata e rrethit”, - thanë burime zyrtare të policisë lokale. Ndaj Tollumit prokuroria kishte lëshuar urdhër ndalimin, i cili u ekzekutua ditën e premte. Tashmë ndaj shtetasit Petrit Tollumi pritet të nisë gjykimi në lidhje me akuzën që ka ngritur organi i prokurorisë.
17 Janar 2009