E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpoli dorëzon tre shqiptarë të dënuar për prostitucion, drogë dhe grabitje



Tiranë - Zyra Qendrore e Interpol Tiranës, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Romën dhe Interpol Londrën, bëri të mundur ekstradimin e tre shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mbrëmjen e së enjtes Interpol Tirana realizoi ekstradimin nga Londra të shtetasit shqiptar Asim Murtati, 31 vjeç, nga Kukësi. Murtati ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me vendim të datës 3 nëntor 1998, e ka dënuar me 11 vjet burgim për veprën penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim”. Sipas vendimit të formës së prerë, shtetasi Asim Murtati, më datë 18 nëntor 1997, në bashkëpunim me shtetasit Shpend Murtati, Agron Cubi dhe Kismet Muja, duke qenë të maskuar dhe nën përdorimin e armëve të zjarrit, i kanë zënë pritë një makine transporti njerëzish dhe pasi kanë kërcënuar udhëtarët me armë, i kanë grabitur ato. Pas shpalljes së vendimit në fjalë Interpol Tirana e gjeti vendndodhjen e Murtatit falë bashkëpunimit me Interpol-Londrën dhe më 1 tetor 2007 u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi i këtij shtetasi. Mesditën e djeshme Interpol Tirana realizoi ekstradimin nga Roma të dy shtetasve shqiptarë të kërkuar. Një prej tyre është 39-vjeçari S. Methoxha. Ky i fundit është dënuar nga Gjykata e Skraparit për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”. Së bashku me Methoxhën është ekstraduar nga shteti italian edhe Roland Maçi, 38 vjeç, nga Vlora. Ndonëse ishte prej gjashtë vitesh në kërkim, Maçi u arrestua vetëm pak kohë më parë, i tradhtuar nga pasaporta e tij, të dhënat e së cilës ishin nisur prej vitesh nga Interpol Tirana drejt homologëve italianë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar atë me 6 vjet burgim në vitin 2002 për veprën penale “mbajtje e substancave narkotike”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal. Ky vendim është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit Vlorë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas këta shtetas u janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›