Zyrtarët e akuzuar u "liruan" nga gjykata
Me gjithë pushimet e disa dosjeve, Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dhjetëra të pandehur që ushtronin funksione publike. Por, gjatë proceseve gjyqësore një sërë faktesh do të rrëzoheshin, duke sjellë përgjysmimin e dënimit. Rasti flagrant është dosja me mbivendosjet e pronave në Komunën e Kasharit, në periferi të Tiranës. Prokuroria mori të pandehur katër kryetarë dhe ish-kryetarë komunash. Ata u dërguan në gjykatë me disa akuza, nga "shpërdorimi i detyrës" e deri te falsifikimi. Në gjykatë prokuroria kërkoi mbi pesë vjet burg për çdo të akuzuar. Gjykata e Tiranës vendosi për të pandehurit vetëm gjysmën e dënimit të kërkuar nga prokuroria. Çështja u apelua. Gjykata e Apelit, në vendimet përfundimtare, përgjysmoi sërish dënimet për të pandehurit, ndërsa disa shkuan edhe në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë sërish uli dënimet. Por nuk mbarojnë këtu lehtësirat. Pas vendimit të formës së prerë, ata kërkuan ulje dënimi, duke u justifikuar se janë sjellë shumë mirë në burg. Gjykata në të shumtën e rasteve i pranoi këto kërkesa. Dhe pas dy-tre vitesh nga arrestimi, të gjithë personat janë të lirë. Këtë procedurë e kanë ndjekur shumica e të dënuarve dhe të pandehurve që u hetuan nga njësia hetimore Task-Forcë. Disa prej tyre morën edhe pafajësi në Gjykatat e Apelit.