BDI kërcënon Kryeministrin Gruevski
Partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës në Maqedoni paralajmërojnë partinë e Kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, të ndryshojë qëndrimin për çështjen e emrit dhe të përparojë në rrugën drejt Europës. Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti, tha në një intervistë për BBC-së se, nëse qeveria e Maqedonisë nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj "që stimulojnë antieuropianizëm", atëherë, ata do të rivlerësojnë qëndrimin e tyre. "Maqedonia nuk ka alternativa, nëse bllokohet procesi integrues", tha zonja Mehmeti.
"Nëse nuk tërhiqet qeveria nga politika aktuale që stimulon antieuropianizëm, që stimulon një formë animoziteti ndaj idesë së Europës së bashkuar, atëherë nuk ka dilemë, nuk do mend, se partnerët në qeveri do të duhet të bëjnë një rivlerësim të pozicioneve, por edhe të qëndrimeve të tyre për sa i përket integrimit europian", tha ajo. "Kjo gjithsesi, nuk do të bëhet nën presion të emocioneve apo të fjalorit urrejtjes", tha deputetja e BDI-së për BBC-në. Deklaratat e zonjës Mehmeti vijnë pas shfaqjes së një tensioni mes partisë kryesore qeverisëse VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Të martën, deputetja e partisë maqedonase në pushtet, Kosana Nikoliç-Mazneva, akuzoi dy koleget e saj të BDI-së, Teuta Arifi dhe Ermira Mehmeti, për atë që ajo e quan nxitje të urrejtjes ndëretnike. "Maqedonia e ka toleruar valën e urrejtjes që ka dalë nga pena e tyre", tha zonja Mazneva.
"Ato letrën e përjetojnë si kallashnikov, kurse bojën si municion, me të cilat duhet të kositet gjithçka që është kombëtare dhe përparimtare, gjithçka që është maqedonase", tha deputetja Mazneva. Reagimi i saj erdhi pasi dy deputetet shqiptare publikisht kanë kundërshtuar politikat e Kryeministrit Gruevski. Deputetja dhe nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, shkruan opinionet e saj një herë në javë në një nga të përditshmet maqedonase. Në artikullin e saj të fundit, ajo shkruan se shqiptarët nuk kanë alternativë tjetër veç NATO-s dhe BE-së.
"Nëse nuk përdoret mirë, periudha në vijim, atëherë në qeveri do të jetë e panevojshme pjesëmarrja e partnerit shqiptar, i cili nuk do të bëjë asnjë gjë në një qeveri euroskeptike dhe anti-NATO," shkruante zonja Arifi. Deputetja Mehmeti ishte shprehur më herët kritike ndaj paralajmërimeve se në sheshin kryesor të Shkupit do të vendoset statuja e Aleksandrit të Madh, projekt që u la në heshtje në periudhën para se të merrej vendimi nga BE, nëse Maqedonia do të fillonte negociatat me BE-në për anëtarësim të plotë. Tani zyrtarë të VMRO-DPMNE-së sugjerojnë se do të vijohet me ngritjen e përmendores gjigante, veprim që konsiderohet si provokim për Greqinë, e cila historinë e antikitetit e konsideron si pjesë të kulturës së saj. Politika e jashtme e qeverisë së kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja po shkakton tensione te partneri shqiptar BDI, thotë Jeton Shasivari, profesor në Universitetin e Europës Juglindore. "Këto sjellje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së ndërlidhen në dy aspekte. I pari është dështimi i politikës së jashtme të drejtuar nga VMRO-ja, sidomos pas Samitit të BE-së ku Maqedonia ngeli pa datën e fillimit të negociatave, gjë që reflektohet me tone negative në politikën e brendshme, dhe çështja e dytë, ka të bëjë me raportet mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së," thotë zoti Shasivari. Deri më tani asnjë përbërje e ekzekutivit në Maqedoni, që nga pavarësia e saj, nuk ka ndodhur që mos të ketë përfaqësues shqiptarë.