E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompleksi i ri parlamentar, ngecin negociatat me arabët

TIRANE-Ndërtimi i Kompleksit të ri parlamentar është peng i bisedimeve me qeverinë e Arabisë Saudite. E perditshmja Gazeta Shqiptare ben te ditur se qeveria shqiptare mësohet t'i ketë kërkuar arabëve që të ulin interesin e kredisë që do lëvrohet për nisjen nga puna të ndërtimit të këtij projekti. Por burime brenda qeverisë bëjnë të ditur se momentalisht bisedimet janë të ngrira mes dy qeverive për faktin se Arabia Saudite nuk pranon të ulë masën e interesit të kredisë.

Arabët kanë marrë përsipër financimin e parlamentit shqiptar por pika ku palët po hasin vështirësi është pikërisht tek interesi që do të paguajë Shqipëria. Për këtë fakt ende nuk ka një vendim përfundimtar ndërkohë që pritet që bisedimet të nisin sërish në muajin shtator mes ministrisë së financave të Shqipërisë dhe asaj të Arabisë Saudite.

Kosto financiare e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar është parashikuar të jetë 100 milionë euro, por fatura e saktë e ndërtimit të parlamentit të ri nuk është parashikuar e llogaritur në projektligjin e miratuar në Kuvend. Parlamenti votoi në fund të muajit korrik pro ngritjes së kompleksit të ri parlamentar, duke i hapur kështu rrugë prishjes së Piramidës. Kuvendi i Shqipërisë, sipas një njoftimi zyrtar të disa ditëve më parë, do të lidhë një kontratë me studion e projektit fitues të konkursit ndërkombëtar të idesë për ndërtimin e kompleksit dhe për hartimin e projektit të zbatimit në të gjitha fazat. Kryeministri Sali Berisha pati garantuar shqiptarët se qeveria nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë më tepër sesa do të shpenzonte për rikonstruksionin e godinës aktuale të saj.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›