Topi: S’jam pyetur për ndryshimet kushtetuese
“Presidenti, duke respektuar pozicionin e tij e ka të drejtën nëse kjo del në planet e partive politike për ta diskutuar për t’u shprehur në momentin e fundit me dekretin e tij. Por edhe në retrospektivë, edhe kur partitë politike kanë vendosur që të bëjnë ndryshimet kushtetuese, ju siguroj që nuk e kanë pyetur Presidentin. Kjo nuk do të thotë që në të ardhmen Presidenti të mos mbajë qëndrimin e tij institucional, konstitucional”. Presidenti Topi ka vlerësuar edhe raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale te 8 majit, si dhe u ka bere serish thirrje liderëve politike për te bashkëpunuar për integrimin e vendit. “Kemi vlerësuar me nota shumë realiste raportin e OSBE/ODIHR-it dhe ajo shkon në vijueshmëri të të gjitha apeleve që janë dhënë vazhdimisht për politikën shqiptare. Unë nuk dëshiroj të merrem më me komente, sepse këto komente kanë qenë shumë të qarta në raport, por do të dëshiroja t’i kujtoja politikës shqiptare, në radhë të parë politikës parlamentare që sezoni që presim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse ka të bëjë me nevojën jetike për një bashkëpunim të domosdoshëm midis pozitës dhe opozitës.” Këto deklarata presidenti i beri nga Himara ku po zhvillon disa takime. Fillimisht Topi ka biseduar me kreun e Bashkise, Gjergji Goro, si dhe me kryepleqësinë, duke u ndalur veçanërisht ne çështjet e turizmit. Ndërsa te mërkurën kreu i shtetit pritet te vizitoje Bashkine e Sarandës.