Kompletohet Kuvendi
Në seancën e re të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet këtë të enjte, do të marrin pjesë katërmbëdhjetë deputetë të rinj, të cilët zëvendësojnë kolegët e tyre që kanë marrë poste në Qeveri.
Ata kanë filluar t’i kryejnë procedurat e fundit teknike në Parlamentin e Kosovës për t’i nënshkruar tekstet e betimit dhe për t’u pajisur me dokumentacionin përkatës.
Tashmë për këta deputetë të rinj kanë përfunduar të gjitha procedurat teknike mes Presidencës, Zyrës së Kryetarit të Kuvendit dhe Komisionit Qendror Zgjedhor.
Sekretaria e Kuvendit i ka ftuar deputetët e rinj që të mërkurën të paraqiten në Kuvend.
Tre deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, të martën kanë nënshkruar tekstin e betimit në Sekretarinë e Kuvendit dhe tashmë kanë përfunduar procedurat, ndërsa deputetët e tjerë mbetet që këtë ta bëjnë të mërkurën.
“Ne kemi marrë njoftimin nga ana e Zyrës së Presidentit, e cila e ka njoftuar Zyrën e Kryetarit të Kuvendit për ndërrimin e deputetëve të cilët janë futur në Qeveri. Ne kemi marrë pastaj sot nga Kryetari, njoftimin për t’i thirrur 14 deputetët e rinj për t’i kryer procedurat dhe ne tashmë i kemi thirrur. Besojmë se të mërkurën do të paraqiten të gjithë deputetët e rinj dhe t’i kryejnë formalitetet në mënyrë që në seancën e së enjtes të jenë prezentë”, ka deklaruar të martën për Express, Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka dalë partia e parë pas zgjedhjeve dhe ka formuar Qeverinë, do të ketë më së shumti zëvendësime të deputetëve. Gjithsej shtatë deputetë: Hydajet Hyseni, Nijazi Idrizi, Nait Hasani, Arsim Bajrami, Berat Buzhala, Kurtan Kajtazi dhe Valbona Dibra.
Në Grupin parlamentar të Aleancës Kosova e Re do të futen katër deputetë: Amir Ahmeti, Jeton Zvirca e Gëzim Kelmendi të Partisë Drejtësisë dhe Suzan Novobërdaliu e AKR’së.
Nga Partia e Pavarur Liberale Serbe do të vijnë dy deputetë pas futjes së dy deputetëve të kësaj partie në ekzekutiv. Boban Todorevic dhe Sasha Milosavljevic janë dy deputetët e rinj të SLS’së.
Ndërsa nga partia turke KDTP në vend të Mahir Yagcilarit do të futet Fikrim Damka.
Ndryshe, sekretaria e Kuvendit tashmë ka filluar procedurat për sigurimin e mjeteve teknike për deputetët.
Deputetëve të rinj, Kuvendi duhet t’u sigurojë nja një lap-top.
Sipas një vendimi të mëhershëm të Kryesisë së Kuvendit, deputetët që nuk arrijnë të rizgjidhen në mandat të rinj, nuk kanë nevojë ta kthejnë lap-topin e Kuvendit, pasi konsiderohet si mjet shpenzues i punës.