E Diel, 1 Nëntor 2026

Një zveqanas gjendet i vdekur mbi kulm

Nga Express më 02 mars 2011 në ora 10:09

Policët e njësisë patrulluese të stacionit Zveqan kanë shkuar në fshatin Grabovc, pasi qytetarët raportuan e gjetjen e një trupi të pajetë, të një mashkulli 56-vjeçar.

"Njësitë e para reaguese të policisë, në vend të ngjarjes kanë kontaktuar anëtarët e familjes së viktimës, të cilët kanë deklaruar se të njëjtin e kanë takuar pa shenja jete mbi kulmin e shtëpisë së tij", njofton policia.

Mjeku kujdestar i shtëpisë së shëndetit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës. "Në vend të ngjarjes janë ftuar dhe janë përgjigjur edhe hetuesit policor të sektorit për krime të rënda së bashku me teknikët e kriminalistikës të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes nën udhëheqje të prokurorit publik".

Nuk janë identifikuar gjurmë apo çfarëdo shenja dhune mbi viktimën.

Bazuar në raportet preliminare të hetuesve policorë në vend të ngjarjes, rasti është kualifikuar si vdekje e dyshimtë ndërsa besohet se bëhet fjalë për vdekje natyrale pasi viktima për një kohë të gjatë po vuante nga sëmundja e zemrës. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga vetë familjarët e viktimës të cilët nuk adresojnë bazë të dyshimit mbi vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit publik të prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, trupi i pajetë i viktimës Zhivkoviq M. (1955), është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Hetuesit policorë të sektorit të krimeve të rënda në Mitrovicë, janë në pritje të raportit zyrtar të ekspertëve mjeko ligjor mbi shkaktarin e vdekjes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›