"Kompozimet e fundit mbi vargje shqiptare"
"Muzika nuk është një qejf, është një fe". Kjo thënie e Konicës në "Sweet power of music"(Pushteti i ëmbël i muzikës) do të ishte një përligjje më se e mjaftueshme për orët e gjata të kompozitorëve para partiturave. Një përligjje për marrëdhënien intime mes notave, tingujve dhe ndjenjës. Teksa kujton këtë shprehje, kompozitori shqiptar, Thoma Simaku, i cili prej vitesh jeton e krijon në Angli, rreket të përqaset në mënyrë të vetëdijshme ndaj ndikimeve në krijimtarinë e tij. Ndonëse një krijues larg vendit mëmë, Simaku ndodhet në momente të rëndësishme të karrierës. Kompozimet e tij jo vetëm që interpretohen për një publik ndërkombëtar, por vlerësohen edhe me çmime në festivale prestigjioze të muzikës. Lakimi më i fundit i emrit të tij në qarqet artistike, lidhet me çmimin "Kompozitori më i mirë i vitit 2009″ në Angli. Këto çmime ndahen çdo vit për 13 kategori nga Akademia Angleze e Kompozitorëve dhe Autorëve (British Academy of Songeriters, Composers and Authors). Kompozitori shqiptar, Thoma Simaku, garon në këtë konkurs në kategorinë e pjesëve instrumentale me veprën "Soliloquy V - Flauto Acerbo", ndërsa ceremonia e çmimeve do të shënohet më 1 dhjetor të këtij viti. "Kjo vepër u kompozua me porosi të instrumentistit anglez, Christopher Orton, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe Performing Arts Fund i BBC-së. Për herë të parë u ekzekutua në Londër më 16 nëntor 2008. Siç e sugjeron dhe vetë titulli, ‘Flauto Acerbo‘ është pjesë e ciklit "Soliloquy", që deri më sot përbëhet nga shtatë vepra (tri të parat janë përshirë në CD-në e Naxos). Është vështirë që "Soliloquy" t‘i gjesh një sinonim në shqip, por nuk është monolog. Në një mënyrë figurative mund të përshkruhet si një fjalim ku autori i shpreh mendimet me zë, por pa iu drejtuar ndokujt në mënyrë specifike. Qëllimi kompozicional i kësaj kolane është që të eksplorojë potencialin ekspresiv dhe teknik të një sërë instrumentesh, që nga ato të harqeve e deri te perkusioni. Që të gjitha janë vepra virtuoze deri në një pikë maksimale të mundshme të instrumentistit, por besoj që secila vepër flet me dialektin e vet instrumental", shprehet Simaku. Pjesa e kompozuar nga Simaku luhet me "Recorder", një instrument antik i Europës Perëndimore, por në shekullin XX dhe tani në prag të shekullit të ri, ka pasur një interes të veçantë. Sipas kompozitorit, kjo mund të shpjegohet me faktin se ka mjaft muzikantë që me teknikën e tyre i kanë dhënë një dimension të ri këtij instrumenti, sa virtuoz aq edhe ekspresiv. Tingulli ngjason me atë të flautit apo edhe të fyellit. "Mund të them që gjatë kompozimit të kësaj vepre "zërat" e fyejve të Gramshit apo sazeve të Korçës, shkonin e vinin...", tregon Simaku. Në fakt, jo rrallëherë, edhe nga kritikët e muzikës është vënë në dukje një prani folklorike në kompozimet e tij. Më shumë se fragmente apo linja muzikore janë rezonanca të një formimi të mëhershëm të Simakut. "Megjithëse teknikat e tij shkojnë shumë më tutje nga ato të Bartokut, muzika e Simakut ka të njëjtin karakter të fortë folklorik, por kurrë nuk citon melodi nga folklori. Influenca më direkte (këto janë përshtypjet e mia, jo curriculum vitae i tij) mund të jetë eleganca e Ligeti-t dhe intensiteti i guximshëm i Kurtag-ut, një kombinim magjepsës", shkruan J.H North në revistën e specializuar "Fanfare" të Amerikës. Në vazhdën e këtyre vlerësimeve, në radion gjermane "Deutschlandfunk", Kampfer thotë se "idioma e Simakut kombinon avangardizmin me modalitetin në një mënyrë krejt individuale. "Zhurma" e instrumenteve e pleksur me shkallët muzikore çerek-tonëshe krijon ngjyra me të vërtetë unike. Kuarteti Kreutzer i Londrës e nxjerr në jetë këtë muzikë në një mënyrë elegante, si te tre "Soliloqui" apo te kuartetet, të cilët shfrytëzojnë teknika antike të Ballkanit, siç është për shembull iso-ja". Në fakt, formimin muzikor të tij Thoma Simaku e mori në Tiranë, ku studioi kompozim nga viti 1978-‘82 me kompozitorin e njohur, Tonin Harapi. Vitet pas studimeve e gjetën në krye të disa institucioneve kulturore, fillimisht shef muzike në Shtëpinë e Kulturës në Përmet dhe më vonë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë. Studimet pasuniversitare në Angli zgjeruan interesat e tij muzikore, por njëkohësisht gjeti një terren të përshtatshëm për promovimin e tij si kompozitor. Lidhjet e tij me folklorin? "Muzika serioze, apo "art music" siç quhet në botën anglishtfolëse, në forma dhe trajta të ndryshme, gjithmonë ka "komunikuar" me folklorin. Por te ne, gjatë periudhës së soc-realizmit, këto dy gjëra (muzika e kultivuar dhe folklori) sikur u ngatërruan keq nëpërmjet citimeve bajate dhe një gjuhe muzikore të sheqerosur të shekullit XIX. Në botë edhe sot mund të gjesh vepra që si të thuash "mburren" me këto lloj citimesh, por kjo lloj lidhjeje me folklorin nuk më ka interesuar ndonjëherë; jo vetëm tani, por edhe atëherë, në kohen e dekadave të majit, kur bëhej zhurmë e madhe", shprehet kompozitori. Ky qëndrim vazhdon të mbetet edhe në ditët e sotme për të. Krijimet e tij marrin vetëm spunton, për të ardhur si kompozime të reja. "Në veprat e viteve të fundit jam përpjekur të gjej forma të reja komunikimi me atë që do ta quaja idioma e "gjuhës muzikore amtare". E ndiej që kjo idiomë më integrohet në mënyrë të natyrshme me këto teknika dhe besoj se esenca e saj luan një rol të veçantë në përcaktimin e karakterit muzikor, apo më gjerë, edhe vetë identitetit të muzikës", shpjegon Simaku. Sipas tij, në veprat e këtij dhjetëvjeçari të fundit, rezonancat e idiomave folklorike shprehen në elementë të tillë si isoja, segmente të veçanta modale etj. Pavarësisht sukseseve, Simaku beson se ka rrugë të gjatë para. Ka shumë për të kompozuar. Këto kohë ka disa vepra në duar për orkestër simfonike dhe ansamble të ndryshme. Frymëzimet i gjen edhe në vargje shqiptare. "Kam kompozuar dhe një pjesë për soprano, me poezi nga cikli "Dyert e Gjalla" të Visar Zhitit, përkthyer në anglisht nga Robert Elsie. Kjo poezi me të vërtetë që të mbërthen: në një hapësirë kaq të vogël ka një koncentrim dhe intensitet të përsosur". Ndërkohë që ngjitjet e tij në skena të ndryshme të botës do të vazhdojnë. Koncerte në Angli dhe Itali, si dhe dy premiera. "Soliloquy VII- Somarimbalo" për perkusion do të ekzekutohet për herë të parë më 13 nëntor 2009 në edicionin e 10-të të Festivalit "Luigi Nono" në Trieste, ndërsa pjesa tjetër "Stepping-up" do të ekzekutohet nga pianistja japoneze me banim në SHBA, Noriko Kawai, në festivalin më të madh të muzikës bashkëkohore në Angli. Po në këtë festival, kuarteti i harqeve nga Parisi "Quatuor Diotima" do të ekzekutojë kuartetin nr. 2, vepra që do të transmetohen nga "BBC" dhe Radio 3.