E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata e mamave të mërzitura

"Ne, nënat e mijëvjeçarit të tretë, jemi të lumtura, por në të njëjtën kohë edhe pak të mërzitura. Të mërzitura sepse qëndrojmë gjithë ditën në shtëpi dhe dalim vetëm kur duhet të shkojmë në punë. Duam të jemi nëna moderne, të dalim të shëtisim, të shkojmë nëpër qendra tregtare dhe të udhëtojmë jashtë shtetit. Misioni ynë nuk është të jemi nëna të panevojshme 24 orë në 24. Nuk meritojmë të jemi nëna fatkeqe". Këto janë fjalët e Zu-së, një nëne që mendon dhe dëshiron t‘i ndryshojë gjërat. Por Zu nuk është e vetmja. Në faqen e internetit, "Mamatë e mërzitura", trajtohet e njëjta temë, dhe komentet e atyre që e vizitojnë janë të shumta e nga më të ndryshmet.
Kështu, dalëngadalë po krijohet grupi i mamave të mërzitura. Këto gra i adhurojnë fëmijët e tyre, dhe nëse do të kishin mundësi ta kthenin kohën pas, nuk do të hiqnin kurrë dorë nga lindja, por ndihen të lodhura nga angazhimet e shumta familjare, punët dhe detyrat. Thonë se ajo që bëhet nënë, nuk ka më kohë të lirë, madje asnjë minutë pushim dhe më e keqja është se nuk ka mbështetje dhe nuk kuptohet nga ana e shoqërisë, e cila më parë pranon që një shoqe të sjellë me vete qenin, sesa një fëmijë grindavec. Meshkujt i ndihmojnë pak dhe nëse kanë mundësi, me justifikimin e punës rrinë gjithë ditën jashtë, derisa vjen ora për të fjetur. Zakonisht kopshtet mbyllen në orën 16:00 dhe nëse mamatë punojnë, nuk mund të shkëputen nga puna për të marrë fëmijët. Kush është me fat e lë fëmijën te gjyshërit, të tjerat sakrifikohen: disa prej tyre heqin dorë nga gjumi, të tjerat prej seksit, shoqeve, punës, udhëtimeve dhe gjithçkaje.
Ankesat janë realisht me shumë vend: femrat që marrin vendim për t‘u bërë nëna, duhet të mendohen mirë, sepse vazhdimi është shumë i vështirë.
Edhe një gazetare angleze, nga "Daily Mail", ka shprehur mërzinë e saj me fjalë të rënda, por në heshtje ndahet nga shumë gra: "Më vjen keq ta them, por fëmijët e mi më mërzisin për vdekje. Më duket pa vend që mamatë e reja thonë se fëmija është dhurata më e bukur që të bën Zoti. Jam dakord me to, por të lodhin jashtëzakonisht, sidomos kur nuk u plotësohen dëshirat dhe tekat. Duhet t‘u qëndrosh gjithnjë pas, t‘i shoqërosh te ditëlindjet e shokëve, të luash me ta, t‘u tregosh përralla në mbrëmje. Nuk di të them se cila nga këto aktivitete më lodh më shumë. Kur fëmijët e mi ishin të vegjël, u bëra si e sëmurë pas punës, sepse dadoja e cila kujdesej për ta nuk më dukej dhe aq e stresuar që rrinte në shtëpi". Pas këtij komenti, kritikat dhe reagimet kanë qenë të menjëhershme, dhe nga më të ndryshmet: nënë e pashpirt, e keqe, egoiste. Pavarësisht opinioneve, gazetarja është përgjigjur me qetësi dhe në mënyrë shumë të edukuar: "Sigurisht që i dua fëmijët e mi si çdo nënë, por aktivitetet që përmenda më lart janë aq të mërzitshme, saqë çdo justifikim më duket i drejtë për t‘i shmangur".
Në botë ka shumë nëna, që dikush më pak e dikush tjetër më shumë, mendojnë si gazetarja angleze. Helen thotë se të jesh nënë është e shkëlqyer, por shumë e vështirë dhe ndonjëherë e mërzitshme. Gjithsesi, solidariteti i femrave në rrjet ndihet: "Të dashura nëna, ju nuk mund ta imagjinoni se sa e lumtur jam dhe sa e plotësuar ndihem kur lexoj mesazhet tuaja. Kemi shumë për të mësuar, madje edhe për ato gjëra praktike dhe banale të cilat na bëjnë të kuptojmë se si fëmijët (dhe mamatë së bashku me to) nuk duhen dhe nuk mbrohen nga kjo shoqëri. Unë mendoj se çdo njëra prej nesh duhet të bëjë diçka, pra t‘u bashkohet të tjerave".
Fëmijët dhe sjellja e tyre
Ka ditë që fëmijët kalojnë orë të tëra shtrirë në krevat, me kufjet në vesh, në mes të një rrëmuje të paimagjinueshme. Kur dalin, vishen në mënyrë të çuditshme: këmisha të gjera, pantallona me bel të shkurtër, llastikun e mbathjeve të nxjerrë sipër tyre dhe atlete të grisura. Shpesh gjatë darkave ulen në tavolinë me "iPod" në dorë dhe kufjet në vesh. Fjalët e tyre të preferuara janë "Boh" dhe "Çfarë?", edhe pse shpesh herë përgjigjen nëpër dhëmbë duke i thënë fjalët përgjysmë.
Shpesh për prindërit është shumë e vështirë të kontrollojnë emocionet e tyre përballë fëmijëve dhe dhomave të tyre të gjumit që duken si fushëbeteja. Fëmijëve u pëlqen më shumë të shohin televizor, ose t‘u dërgojnë sms miqve, sesa të sistemojnë dhomën apo të mësojnë.
Për të zgjidhur disa konflikte duhet që të rriturit dhe fëmijët të respektojnë disa rregulla të cilat lidhen me shtëpinë. Por ç‘duhet bërë kur familja është e madhe? Çdo ditë prindërve u duhet të ndryshojnë pozicionin e tyre brenda familjes dhe karshi secilit fëmijë.
Një argument shumë i vështirë për t‘u diskutuar është seksi. Por pikërisht është dashuria në moshën e adoleshencës që i detyron të rriturit dhe fëmijët të gjejnë një gjuhë të përbashkët mes tyre, që ndonjëherë arrihet me shumë vështirësi. Prindër të dashur, pasi keni arritur të krijoni një "klimë" të qetë deri në atë pikë sa të mund të thoni gjithçka pa hezituar dhe pa dorashka, të jeni të bindur se është hapi i parë që keni bërë për t‘i ndihmuar dhe për t‘u rritur së bashku me ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›