E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina bie në lumë, vdesin daja dhe mbesa

Moti i keq dhe me reshje të dendura të shiut, që ka përfshirë gati gjithë territorin e vendit, janë bërë shkak për një aksident rrugor, ku dy persona kanë humbur jetën. Sipas burimeve nga policia lokale ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të së shtunës, në lumin e Sojnikut të fshatit me të njëjtin emër, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gramshit. Mësohet se një mjet tip "Fuoristradë" me targa Lu 1379 C, ku udhëtonin katër persona, ka dalë nga rruga, duke rënë në lumin Sojnik, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gramshit. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, koha e keqe, rruga e vështirë dhe jo shumë e përshtatshme për të udhëtuar me mjete të tilla, ka bërë që mjeti të rrëshqasë dhe të bjerë nga një lartësi rreth 10 metra drejt e mbi valët e lumit, i fryrë së tepërmi nga reshjet e ditës së djeshme. Kalimtarë të rastit, por dhe forca të policisë që kanë mbërritur shpejt në vendngjarje, kanë bërë që prej mjetit të mbushur me ujë, dy persona, të dalin të gjallë, ndërsa dy të tjerët, në pamundësi për t‘i nxjerrë, kanë mbetur për disa orë brenda mjetit. Burime të policisë bëjnë të ditur se kanë mundur të dalin të gjallë Eduart Kadiu, 32 vjeç ,drejtues i mjetit, si dhe Artan Hysa, 33 vjeç, që të dy me banim në fshatin Dushk të Rrethit të Lushnjës. Të lënduarit janë dërguar për në spitalin e qytetit, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ndërsa Ilir Mema 30 vjeç, me banim në Plug të Lushnjës, si dhe mbesa e tij, Elsa Rika 18 vjeç, me banim në Gramsh, pas dyluftimit me ujin e rrëmbyeshëm, nuk kanë mundur të jetojnë. Sipas burimeve policore, dje, rreth orës 20:30, bëhet e ditur se është gjetur trupi i pajetë i 18-vjeçares, ndërsa daja i saj, 30-vjeçari Mema është gjetur i mbytur disa metra poshtë vendit ku ka rënë makina. Po mbrëmë, pas ndihmës së parë që i është dhënë drejtuesit të mjetit, 32-vjeçari Kadiu është shoqëruar në polici duke u konsideruar shkaktar i këtij aksidenti ku humbën jetën dy të rinj. Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›