E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompromentimi i festës ruse

Festimi i 9 majit, ditës së fi tores së Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë hitleriane, duket qartë se nuk po organizohet thjesht dhe vetëm si përkujtim i një ngjarjeje të shënuar. Po krijohet bindja se ai është planifikuar dhe organizuar nga shteti dhe diplomacia ruse si një rast dhe mundësi për të afirmuar një rol të madh dhe një influencë të re ndërkombëtare të Rusisë. Diplomacia ruse e ka në traditën e saj t'i politizojë, dhe sidomos t'i ndërkombëtarizojë festat. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me maninë e madhështisë së kaluar, por sidomos me ëndrrën e sotme shtetërore për ta ringjallur hijen e dikurshme të perandorisë dhe të superfuqisë. Ndaj dhe festa si kjo e 9 majit shndërrohen në fushata për atraksion, vëmendje dhe dominim diplomatik ndërkombëtar.
Që vetë udhëheqësit rusë nuk e konceptojnë vetëm si festë, e provon incidenti diplomatik që ata krijuan në marrëdhëniet me Moldavinë, pikërisht për shkak të festës. Presidenti i Moldavisë, Mihai Gimpu i bëri të ditur Moskës dhe opinionit të vendit të tij se ai ka refuzuar të jetë në Moskë me rastin e 9 majit dhe nuk do të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare dhe në paradën e madhe ushtarake, që do të organizohen në kryeqytetin rus me këtë rast. Në të njëjtën kohë, për të ruajtur ekuilibrin e marrëdhënieve mes dy vendeve, presidenti moldav bëri të ditur më 1 maj se ai do të shkojë në Moskë më 8 maj, për të marrë pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë të vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, CIS, që do të zhvillohet në kryeqytetin rus.
Natyrisht është e drejta legjitime dhe sovrane e çdo kryetari shteti të vendosë ta pranojë apo të mos e pranojë një ftesë për të vajtur në ceremonitë apo festën e një shteti tjetër. Por Rusia reagoi menjëherë zyrtarisht dhe publikisht, duke sulmuar presidentin dhe politikën e jashtme të Moldavisë, me një sjellje që komprometon vetë karakterin e festimeve. Kaq disproporcional dhe jo diplomatik ishte ky reagim, saqë ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, më 28 prill ironizoi presidentin moldav, duke i aluduar atij që të mos shqetësohet për paradën e 9 majit në Moskë, por të shqetësohet për ndonjë vend fqinj, që nuk e njeh Moldavinë si shtet. Shefi i diplomacisë ruse i referohej direkt Rumanisë, ku presidenti i Moldavisë po zhvillonte një vizitë zyrtare. Nuk janë të qarta motivet përse ministri i Jashtëm rus duhej të sulmonte një shtet të tretë, Rumaninë, një shtet anëtar i NATO-s dhe i BE-së, e cila nuk është ftuar të marrë pjesë në festimet e 9 majit, me shpjegimin diplomatik rus se Rumania ka bashkëpunuar me gjermanët në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Dhe ky shpjegim jepet në një kohë kur në Moskë është ftuar për festimet e 9 majit edhe Gjermania.
Reagimi i Rusisë ndaj presidentit moldav dhe Moldavisë është me interes për ta parë në disa drejtime, sepse është specifik dhe ndihmon për të kuptuar disa tipare të politikës së sotme ruse. është specifik, sepse një sulm i tillë iu adresua vetëm Moldavisë dhe presidentit moldav, në një kohë kur edhe shtete të tjera të ftuara nga Moska kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në festimet e 9 majit në Moskë. Informacionet janë se deri tani kanë refuzuar të marrin pjesë në festimet moskovite Lituania, Letonia, Estonia, Gjeorgjia, dhe madje edhe Bjellorusia. Bashkë me Moldavinë bëhen deri tani 6 shtete, të cilat kanë bërë pjesë dikur në federatën e quajtur Bashkimi Sovjetik, ushtria e të cilit hyri në Berlin 65 vjet më parë. Inati i Moskës zyrtare me presidentin moldav dhe me Moldavinë shpjegohet me faktin se presidenti moldav e quajti të arsyeshme të shpjegonte motivet se përse vendosi të refuzojë ftesën e Moskës për 9 majin. Ai dha shpjegime, të cilat e tronditin idealizimin ndërkombëtar që Moska i ka bërë dhe i bën asaj që e quan lufta e madhe patriotike, shpjegime të cilat vënë në dyshim politikën dhe strategjinë botërore të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Janë pikërisht këto shpjegime, të cilat e acaruan Moskën, sepse ato ngacmojnë dhe hedhin dritë mbi disa të vërteta të mëdha të politikës sovjetike dhe staliniste, të cilat Moska kërkon t'i mbulojë nëpërmjet manifestimeve glorifikuese të 9 majit.
Ja çfarë deklaroi më 30 prill presidenti moldav: "Ne do t'i ishim mirënjohës Moskës, nëse lufta vetëm do t'i kishte dhënë fund fashizmit dhe jo t'i impononte me dhunë vendit tonë një regjim komunist. Si mund të marr pjesë në një paradë ushtarake me ushtrinë, që solli komunizmin mbi ne, që ka organizuar urinë masive dhe na ka deportuar në Siberi? Kjo ushtri është ende këtu. Kjo ushtri ka qenë në themel të krijimit të Transnistrias".
Presidenti moldav paraqet vlerësimin e raporteve historike mes Rusisë dhe Moldavisë, e cila u aneksua nga Rusia pas Luftës së Dytë Botërore dhe u bë me dhunë pjesë e federatës së Bashkimit Sovjetik. çlirimi nga nazizmi i solli popullit moldav pushtimin nga komunizmi rus. Zëvendësimi i një pushtuesi me një pushtues tjetër, nuk mund të quhet as rast i lumtur dhe as rast i duhur për përkujtime solemne. Kjo është një e vërtetë e madhe, e cila prek shumë shtete dhe shumë popuj në ish-Bashkimin Sovjetik, por edhe në Ballkan, ku gjatë historisë së re ka ndodhur disa herë të zëvendësohet një pushtues me një tjetër. Dhe çdo pushtues i ri e ka servirur për çlirim pushtimin e tij. Por ka ndodhur që popujt të detyrohen nga regjime të ndryshme, të lidhura me pushtuesit e rij, ta festojnë si ngjarje të lumtur zëvendësimin e një pushtuesi me një pushtues tjetër. Këtë të pavërtetë historike refuzon ta pranojë presidenti moldav, i cili e njeh shumë mirë çfarë do të thotë pushtim i vendit të tij nga komunizmi rus, i cili ia deportoi në Siberi edhe babain, edhe vëllezërit.
Rusia u irritua nga refuzimi i presidentit moldav, sepse ai hap në kujtesën e popujve një optikë më të gjerë historike dhe që ka të bëjë me vlerësimin objektiv dhe realist të asaj, që ndodhi mes Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të Europës Lindore, të cilat u pushtuan menjëherë nga ushtria sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u detyruan me dhunë të hyjnë nën zgjedhën e "çlirimtarit", Bashkimit Sovjetik. Sepse nuk mundet për shembull ta festojnë estonezët, lituanezët dhe letonezët, të cilat Bashkimi Sovjetik i Stalinit i pushtoi me dhunë në vitin 1940 dhe ua zhduku pavarësinë.
Irritimi i Moskës vjen sidomos nga fakti se Moldavia hap në kujtesën ndërkombëtare çështjen e karakterit të politikës dhe të strategjisë, që Rusia po ndjek sot në arenën ndërkombëtare. Presidenti moldav i përmendi Moskës faktin që ushtria ruse është faktori kryesor i projektit separatist të shkëputjes së pjesën lindore të Moldavisë, që njihet me emrin Transnistria dhe faktin që ushtria ruse është ende në territorin moldav.
Nuk është vështirë për të kuptuar se Kremlini ka dëshirë të ndërkombëtarizojë sot fitoren, që Bashkimi Sovjetik arriti mbi Gjermaninë 65 vjet më parë. Kjo ka qëllimet e veta. Së pari, synon që t'ua servirë popujve dhe shteteve, të cilët kanë qenë të pushtuar në atë kohë nga ushtria gjermane, si një hipotekë e tyre tek çliruesit rusë. Së dyti, synon sidomos të konfirmojë të drejtën e Moskës sot për sferat e saj të influencës mbi ish- hapësirat sovjetike, mbi shtetet që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Historia dhe popujt e respektojnë dhe e vlerësojnë kontributin e madh të popujve të ish-Bashkimit Sovjetik në fitoren mbi fashizmin. Ajo fitore është frut i luftërave, sakrificave dhe përpjekjeve të të gjithë popujve të Koalicionit Antifashist Botëror, dhe nuk mund të jetë monopol vetëm i njërit apo tjetrit kontribues, sado e madhe kostoja e pjesëmarrjes së tij në koalicion. Nëse përkujtimi qëndron në kufijtë e nderimit për gjakun dhe kontributin e atyre që ranë, kemi një respektim të kufijve të borxhit të detyrueshëm moral. Po nëse festimet e sotme u shërbejnë qëllimeve të pesëdhjetë vjetëve të djeshme të Bashkimit Sovjetik, kjo do të zbehte si përmbajtjen, ashtu dhe shkëlqimin e çdo feste. çdo festë, që politizohet, e komprometon shpejt veten.
(GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›